AKTUALITET, 30 Nëntor 2019, 18:00

Atalanta del nga kriza ndaj Breshias, Gjimshiti triumfon ndaj Ndojit

Atalanta del nga kriza ndaj Breshias, Gjimshiti triumfon ndaj Ndojit

Atalanta ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në transfertë teksa ka mposhtur me rezultatin 0-3, Breshian. Bergamaskët nuk fitonin prej katër ndeshjeve, megjithatë ia kanë dalë të heqin mallkimin. Ndërkaq, në këtë sfidë titullarë ishin edhe dy shqiptarët Berat Gjimshiti për Atalantën dhe Emanuele Ndoj për Breshian.

Mbrojtësi u aktivizua për 90 minuta të plota, ndërsa ndeshja për mesfushorin Ndoji zgjati 64 minuta. Sa i përket takimit, Atalanta ia doli të zhbllokonte rezultatin në pjesën e parë falë golit të Pasaliç. Kroati u tregua i saktë nga fare pranë portës, dhe me kokë nuk e pati të vështirë të dërgonte sferën në rrjetë. Sakaq, në fraksionin e dytë të lojës, Breshia u mundua të reagonte. Mirëpo, ishte sërish Pasaliç që gjeti fundin e rrjetës. Këtë herë me një realizim spektakolar me thembër.

Një gol që rëndoi lojtarët e Breshias, të cilët me Balotelin u munduan të ndryshonin fatet e takimit, por një herë traversa e më pas portieri i Atalantës, nuk lejuan ndryshimin e rezultatit. Ndërkohë, në minutat shtesë, Iliçiç gjeti edhe golin e tretë duke vulosur rezultatin përfundimtar 0-3. Pas këtij rezultati, Atalanta ngjitet në vendin e gjashtë, ndërsa Breshia mbyll në vendin e fundit tabelën e klasifikimit.