AKTUALITET, 4 Janar 2025, 22:18

Zjarr masiv në Pogradec, përfshihen në flakë dy banesa në lagjen 4

Zjarr masiv në Pogradec, përfshihen në flakë dy banesa

Një zjarr masiv ka përfshirë çatinë e përbashkët të dy banesave në lagjen 4 të qytetit të Pogradecit. Ngjarja ka shkaktuar panik tek banorët, por falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe policisë, të gjithë banorët janë evakuuar në kohë, duke shmangur dëme në njerëz.

Zjarrfikësja ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon intensivisht për të shuar flakët, të cilat kërcënojnë të përhapen më tej. Ndërkohë, forcat e policisë kanë marrë masa sigurie për të mbrojtur banorët dhe për të parandaluar incidente të mëtejshme.

Sipas informacioneve paraprake, ende nuk dihen shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit. Ekspertët po hetojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa banorët janë të tronditur nga kjo situatë e papritur.

"Rreth orës 21:25, në lagjen nr. 4 Pogradec, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. B., 80 vjeç.

Si pasojë e zjarrit, janë përfshirë dhe banesat ngjtur me banesën që ra fillimisht zjarri.

Shërbimet Policisë dhe zjarrfikësit  kanë ndërhyrë menjëhere për evakuimin e banorëve dhe për shuarjen e zjarrit.

Nga  rënia e zjarrit ka vetëm dëme materiale, ndërsa banorët janë evakuuar të gjithë. 

Vijon puna intensive për neutralizimin e përhapjes së zjarrit dhe shuarjen e plotë në banesat e përfshira nga flakët.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë  po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të rënies së zjarrit"-njoftoi policia.