TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbretëri e Bashkuar- Në Angli dhe Uells janë mbatur zgjedhjet lokale, bashkiake dhe ato për komisionerët e policisë.
Ende vijojnë të numërohen votat, por deri tani konservatorët kanë marrë një rezultat zhgënjyes, duke humbur këshilltarë në mbarë vendin.
Konkretisht, deri në këto momente Partia Konservatore ka humbur thuajse gjysmën e ulëseve, rreth 474 të tilla.
Konservatorët po u gëzohen pak fitoreve, siç ishte ajo e Ben Houchen, që arriti të sigurojë mandatin e tretë në Tees Valley, duke marrë edhe përgëzimet e kryeministrit.
Rezultati duket zhgënjyes për Rishi Sunak, duke qenë edhe një test përpara zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen deri në fund të këtij viti. Ky rezultat pritet të shtojë presionin ndaj tij, brenda konservatorëve edhe pse nuk ka shenja të një revolte të brendshme. Pakënaqësia popullore për rritjen e kostos së jetesës, i ka bërë konservatorët pesimistë që përpara mbajtjes së zgjedhjeve, ndaj dita e sotme nuk është aspak një surprizë për ta.
Nga ana tjetër, laburistët kanë patur rritje nga zgjedhjet e kaluara, duke fituar deri tani 186 ulëse më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Rezultati i deritanishëm sugjeron se Partia Laburiste ka mjaft shanse për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Londrës
Ndërkohë Sadiq Khan, ka fituar mandatin e tretë si kryebashkiak i Londrës, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në 2 maj. Fitorja e tij është historike dhe e bën personin e parë që ka shërbyer kaq gjatë në këtë post.
Khan ka arritur të mundë rivalen e tij direkte, konservatoren Susan Hall, me rreth 43.8% të votave, kundrejt 32.7% të siguruara nga Hall.
Zgjedhjet lokale kanë qenë një disfatë e madhe për konservatorët, që kanë humbur këshilltarë dhe bashki në mbarë vendin, rezultat që shihet nga ekspertët zgjedhorë si një lajm i keq për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat pritet të mbahen deri në fund të këtij viti.
Temat që mbizotëruan fushatën zgjedhore, ishin menaxhimi në rritje i kriminalitetit, sidomos krimet me thikë, por edhe menaxhimi i protestave masive pro Palestinë që janë mbatur muajt e fundit në rrugët e kryeqytetit.
Një tjetër çështje kyç, që pritej ta dëmtonte Khan, është zgjerimi i skemës së tij konstroverse, ULEZ, për vendosjen e një takse qarkullimi për mjetet më të vjetra, që nuk përshtaten me rregullat e përcaktuara nga skema. Khan vazhdimisht e ka mbrojtur skemën, si një mënyrë për të reduktuar ndotjen. Zgjerimi i skemës solli mjaft pakënaqësi dhe kandidatja konservatore, Susan Hall, kishte premtuar anullimin e saj të menjëhershëm, çka tashmë nuk ka mundësi të ndodhë.
Khan ka premtuar ndërtimin e 40,000 banesave komunale deri në vitin 2030, shtimin e 1300 policëve në komunitet, ngrirjen e rritjes së kostove të transportit publik dhe një sërë masash të tjera me fokus te siguria, mirëqenie dhe mjedisi.