AKTUALITET, 21 Nëntor 2024, 10:12

Zgjedhjet 2025/ Begaj vijon takimet me partitë për datën, pret Tedi Blushin nga Partia e Lirisë

Zgjedhjet 2025/ Begaj vijon takimet me partitë për datën, pret

Presidenti Bajram Begaj po vijon konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve parlamentare 2025. Kreu i shtetit ka pritur sot në Presidencë, sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Ky i fundit, siç dallohet edhe nga pamjet që sjell Report Tv, shoqërohej nga deputetja Erisa Xhixho. 

Presidenti Bajram Begaj, duhet të shpallë dekretin për datën e zgjedhjeve parlamentare brenda 10 ditëve të para të muajit dhjetor. Sipas ligjit elektoral, Begaj duhet ta dekretojë datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të deputetëve, i cili përkon me 10 shtatorin e vitit 2025.

Kushtetuta e përcakton 15 prill-15 maj, periudhën kohore për zhvillimin e zgjedhjeve. Por, mbetet për t’u parë se cilën prej 4 të dielave do të dekretojë presidenti Begaj pas konsultimit me të gjitha partitë politike, mes tyre edhe dy partitë më të mëdha PS e PD.