AKTUALITET, 31 Mars 2026, 18:41

Zbulohet “tuneli i drogës” mes Marokut dhe Spanjës, raportohet për 27 të arrestuar dhe mbi 17 tonë hashash të sekuestruar

Zbulohet “tuneli i drogës” mes Marokut dhe Spanjës,

Policia spanjolle ka zbuluar një tunel të madh nëntokësor, të ndërtuar në disa nivele dhe i pajisur me shina dhe vagona, që përdorej për transportin e sasive të mëdha të hashashit mes Marokut dhe Spanjës, në Ceuta.

Operacioni policor, që zgjati më shumë se një vit, nxori në dritë një rrjet të tërë nëntokësor që i ngjante një miniere, përmes të cilit shpërndahej rrëshira e kanabisit në të gjithë Spanjën dhe më tej në Europë, njoftoi Ministria e Brendshme spanjolle.

Në total, 27 persona janë arrestuar, ndërsa mbi 17 tonë lëndë narkotike janë sekuestruar gjatë disa aksioneve të njëpasnjëshme.

Sipas autoriteteve, hyrja e tunelit ishte e kamufluar pas një frigoriferi të madh të izoluar akustikisht. Struktura përbëhej nga tre nivele: një bosht zbritjeje, një dhomë e ndërmjetme për magazinimin e pakove dhe një korridor i drejtë që çonte drejt Marokut.

E gjithë infrastruktura ishte e pajisur me shina, vagona, rrota transporti dhe vinça të vegjël për lëvizjen e paletave me hashash, ndërsa ishte ndërtuar nën një magazinë industriale. Një sistem pompimi dhe izolimi akustik siguronte funksionimin pa u zbuluar.

Hetimet nisën pas një sërë sekuestrimesh droge në Ceuta dhe në rajonin e Andalusia, duke çuar më pas në zbulimin e rrjetit, i cili kishte degë edhe në Galicia, zonë e njohur për trafikun e drogës.

Operacioni arriti kulmin me arrestimin e njërit prej dy drejtuesve të grupit kriminal, gjatë natës së 26 marsit. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi gjithashtu 1.4 milionë euro cash dhe 17 makina luksoze.

Spanja mbetet një nga pikat kryesore hyrëse të trafikut të drogës në Europë, për shkak të afërsisë me Marokun, një nga prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në botë.