AKTUALITET, 16 Prill 2024, 10:58

Vrau ish-vjehrrin dhe ish-kunatin në Lezhë, burg përjetë Besnik Pjetrit. Si ndodhi krimi i dyfishtë

Vrau ish-vjehrrin dhe ish-kunatin në Lezhë, burg përjetë
Besnik Pjetrii, Pjerin Pernjaku, Gent Pernjaku

Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm Besnik Pjetrin alias Perdeda, i cili rreth dy vite më parë vrau ish-vjehrrin dhe ish-kunatin.

Krimi i rëndë ndodhi në fshatin Grykë Zezë të Lezhës më 29 gusht 2022, kur baba e bir Pjetër dhe Gentjan Përnjaku po ktheheshin në banesë.

Besnik Pjetri u shpall fajtor për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtje pa leje.

SI NDODHI KRIMI

Pjetër dhe Gentian Përjaku, përkatësisht 56 dhe 33-vjeç u ekzekutuan me armë zjarri nga ish-dhëndri i tyre Besnik Pjetri mbrëmjen e 29 gushtit 2022 pranë banesës së tyre ku Besnik Pjetri i kishte bërë pritë.

Babë e bir ishin kthyer të hënën nga Italia ku jetonin prej shumë vitesh, pasi kishin pasur një dasmë në vendlindje, te disa të afërm.

Ish-dhëndri ka ndjekur lëvizjet e objektivave të tyre dhe sapo janë kthyer në banesë është afruar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash duke u marrë jetën.

Pas ngjarjes, autori i krimit të rëndë u largua nga vendngjarja për tu arrestuar 4 muaj par vrasjes së dyfishtë.

SI NISI KONFLIKTI

Tragjedia në familjen Përnjaku duket se zë fill gjashtë vite më parë, pas një divorci të vajzës së viktimës me bashkëshortin. Sipas burimeve, autori i krimit të rëndë, Besnik Pjetri, i cili ishte babai i dy vajzave, ishte divorcuar prej më shumë se 6 vitesh nga gruaja e tij. Divorci kishte vazhduar me probleme të shumta mes tij dhe ish-bashkëshortes, jo vetëm për faktin se mes tyre ishin dy fëmijë, por edhe pretendime të tjera.

Madje, për shkak të konflikteve kishte ndërhyrë edhe policia italiane, duke arrestuar Besnik Pjetrin, i cili sipas burimeve ka qëndruar dy vite prapa hekurave. Por, as kjo nuk e kishte bërë që t’u jepte fund konflikteve.

51-vjeçari pretendonte se familja e ish-bashkëshortes së tij i kishin borxhe dhe se ato nuk ia kishin kthyer. Një tjetër pretendim i autorit të dyshuar të krimit, ishte se ata nuk e lejonin të takonin vajzat e tij, çka dyshohet të jetë bërë shkak dhe për krimin e rëndë.

ARRESTIMI I AUTORIT

Besnik Pjetri, autori i vrasjes dyfishtë në Lezhë është vënë në prangat e policisë më 16 dhjetor 2022, disa muaj pas ngjarjes.

51-vjeçari u arrestua një banesë të braktisur në Kaçinar të Mirditë gjatë operacionit të koduar “Fundi i arratisë”, i finalizuar si rezultat i ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të RENEA-s dhe punës gjurmuese-policore të strukturave hetimore dhe operacionale të Policisë së Lezhës.

“Shërbimet e Policisë së Lezhës, në vijim të punës intensive gjurmuese-policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për kapjen dhe vënien në pranga të autorit të shumëkërkuar të vrasjes së dyfishtë, me armë zjarri, të ndodhur më 29.08.2022, në Grykë-Zezë, Lezhë, ku u vranë shtetasit P. P., 56 vjeç dhe G. P., 32 vjeç (babai dhe vëllai i ish-bashkëshortes së autorit), mbështetur nga inteligjenca informative, si dhe falë ndërhyrjes profesionale nga shërbimet e RENEA-s, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fundi i arratisë”, të zhvilluar në një terren me kushte tejet të vështira gjeografike dhe atmosferike.

Si rezultat i këtij operacioni, falë kërkimeve të pandërprera dhe ndjekjes intensive, duke përdorur forma dhe teknika speciale hetimi, u bë i mundur lokalizimi në një banesë të braktisur, në fshatin Kaçinar, Mirditë, si dhe kapja e vënia në pranga e shtetasit: – B. P. (P.), 49 vjeç, banues në Troshan, Lezhë”, njoftoi policia.