AKTUALITET, 1 Shkurt 2023, 19:40

Vrasja e të riut nga Kukësi në Prizren, prokuroria kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit për “Kobrën” dhe pesë të tjerë

Vrasja e të riut nga Kukësi në Prizren, prokuroria kërkon
Visart Cengu dhe Dibran Hoxha

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Dibran Hoxhën dhe pesë të pandehurit të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, Visart Cengu. Këtë e ka konfirmuar zyrtari për informim i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.

Lekaj tha se Prokuroia ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Dibran Hoxha, i cili dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Manipulim me prova”.

Po ashtu, vazhdimi i paraburgimit është kërkuar edhe për pesë të dyshuarit e tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi,, të dyshuar për veprat penale “Manipulim me prova” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.

Ai tha se gjyqtarja e procedurës paraprake, lidhur me propozimin e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit do të vendosë deri më 3 shkurt 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 4 janar 2023, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj ndaj Hoxhës dhe të tjerëve.

Ndërsa, për të dyshuarin e shtatë R.S, më 7 janar 2023, gjyatarja e procedurës paraprake, kishte caktuar masën e paraburgimit, e cila vlen deri më 6 shkurt 2023. I dyshuari R.S., dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Ndryshe, sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

“Më dt 03.01.2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal.

Ndryshe, më 5 janar 2023, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit dhe RBF-së (Rockfeller Brothers Fund), ka publikuar analizën me titull “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”.

Kurse, në analizën e IKD-së, të publikuar në shkurt të vitit 2022, ishte theksuar se Hoxhaj ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë.  Ky recidivist në medie proklamohej se ka kryer 198 vepra penale, derisa bënte të ditur se e gjithë kjo e kaluar e tij kriminale filloi me rastin e hapjes së lokalit të lartcekur.

Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist. Për veprat penale për të cilat është dënuar Hoxha, dënueshmëria sipas ligjit ka shkuar deri në 10 vite burgim, raporton betimiperdrejtesi.