TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Lezhës zbardh atentatin e djeshëm ku mbetën të vrarë nga breshëritë e armëve Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij.
Ishte kryepolici Arben Nasufi që doli në një konferencë për mediat mesditën e sotme (27 prill) dhe zbardhi detaje, dinamikën dhe motivet e atentatit vdekjeprurës nga hetimet e deritanishme bashkë me Prokurorinë.
Ai tha se janë identifikuar 3 atentatorët e krimit, mjeti me të cilin u bë atentati dhe rrethanat, përfshi edhe motivin e dyshuar të hakmarrjes.
“Hetime intensive në vendngjarje dhe me metoda proaktive në funksion të zbardhjes. U identifikua një prej automjeteve të përdorura nga autorët, një AUDI A4. U bë edhe identifikimi i autorëve: A.M., 22 vjeç, F.M., 26 vjeç, R.M., 23 vjeç, të tre banues Lezhë”, tha Nasufi mes të tjerash.
Ai shpjegoi edhe skemën e atentatorëve, ku me një mjet të dytë i zunë rrugën Mujecit dhe më pas e patën të lehtë ta qëllonin me breshëri automatiku.
“Një mjet “Volkswagen i preu rrugën, kurse personat në Audi qëlluan me breshëri armësh. Dyshohet se vrasja ndodhi për arsye hakmarrjeje. Hetime intensive bashkë me Prokurorinë për dokumentimin e ngjarjes.
Janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente, por nuk u gjetën, kërkimet vazhdojnë. RENEA, forca e sigurisë dhe operacionale janë në terren për kapjen e autorëve. Vazhdon edhe puna për gjetjen e armëve dhe mjeteve të përdorura në ngjarje”, tha kryepolici.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Arben Nasufi, mbajti një konferencë për mediat në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në fshatin Balldren.
“Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci.
Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.
Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj.
Hetimet kanë vijuar me këqyrjen dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.
Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:
-A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.
Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volksëagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.
Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.
Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.
Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në këtë kuadër fton qytetarët, që të besojnë dhe të mbështesin më shumë strukturat policore, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë.”, deklaroi ai.