AKTUALITET, 17 Janar 2025, 22:38

Vota e diasporës ndez debatet në KQZ! PD: Po përdorni ambasadat për fushatë! PS: Keni hapur zyrë në Londër

Vota e diasporës ndez debatet në KQZ! PD: Po përdorni ambasadat

Në mbledhjen e zhvilluar sot në KQZ diskutimi mbi procesin e regjistrimit për votimin e emigrantëve u shoqërua me dabate. Partia DEmokratike dhe ajo Socialiste kanë akuzuar njëra-tjetrën për abuzime. Opozita i kërkoi KQZ-së të marrë masa, me akuzën se ambasadat po përdoren për fushatë.

 PD tha në KQZ se mazhoranca po përdor për fushatë burimet publike, përfshirë edhe ambasadat. Nga ana tjetër Partia Socialiste ka akuzuar këta të fundit se dega e PD në Angli jep ndihmë për regjistrimin në portalin e KQZ për të votuar më 11 maj.

Debati:

Franc Nuri: Ka staf diplomatik, nga niveli më i ulët deri në nivelet më të larta të ambasadave, konsullatave tona jashtë vendit që po keqpërdorin detyrat e tyre funksionale dhe janë duke u marrë me fushatë zgjedhore, me regjistrimin e emigrantëve në diasporë.

Elena Xhina: Nuk di raste të dokumentuara që mund të na jenë servirur dhe ne të shprehmi mbi to. Unë paraqes një rast të dokumentuar i publikuar në website të ndryshme ku thuhet se dega e PD në Angli jep ndihmë për regjistrimin në portalin e KQZ për të votuar më 11 maj.

Franc Nuri: Kjo vjen për shkak të vështirësisë së regjistrimit, se aktet që janë miratuar po rezultojnë se nuk janë kaq të thjeshta. Ne jemi parti në opozitë, nuk kemi asnjë burim shtetëror e asnjë burim publik,  për rrjedhojë nuk kemi si të abuzojmë me këto burime publike.

Numri i kërkesave për regjistrime pranë KQZ-së, po afrohet në 25 mijë. Komisioni u ka kthyer përgjigje gjysmës së tyre, duke regjistruar 7 700 vetë, e duke refuzuar 4 200 të tjerë për pasaktësi në dokumente, kryesisht në ato që provojnë adresën e zgjedhësit në emigracion.

Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të rrijë e hapur deri në 4 mars. Për t'u regjistruar duhet të futeni në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve.

Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj.