AKTUALITET, 25 Dhjetor 2024, 21:02

Vokshi në takimin me gratë demokrate: Rama i urren gratë! Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Vokshi në takimin me gratë demokrate: Rama i urren gratë!

Në pritjen që kreu i PD mbajti sot me rastin e festave me Lidhjen Demokrate të Gruas, fjalimet hyrëse dhe përshëndetëse u mbajtën nga përfaqësueset e forumeve përkatëse.

Një prej tyre e emërtoi ish-kryeministrin edhe si “Zotin e Tokës”, duke iu referuar qëndresës së tij pas përballjes me drejtësinë për mbi 300 ditë në arrest shtëpie si i akuzuar dhe tani i pandehur për dosjen e aferës “Partizani”. 

Madje ajo shkoi më tej, duke shprehur gatishmërinë për vetësakrifikim, duke thënë se “le të vijë plumbi te mua e para”.

Ka qene dhe vete Berish ai qe ka marre pjese në pritjen me anëtaret e Lidhjes Demokratike të Gruas, teksa u shpreh se qeveria e drejtuar nga PD do t’i kthejë buxhetin, të ardhurat dhe pasuritë kombëtare tek qytetarët.

Kurse deputetja e PD, Albana Vokshi, ngriti lart sakrificën e grave, që nuk u dorëzuan as para arrestimeve, shantazheve, shoqërimeve dhe kërcënimeve.

“Edi Rama është dhunuesi më i madh dhe urrejtësi më i madh i grave. Ju nuk u dorëzuat dhe i qëndruat përballë Ramës dhe narkoregjimit dhe në krah të kryetarit tuaj. Kush fiton votën e grave, fiton zgjedhjet më 11 Janar... më falni, më 11 Maj. Kemi mundësinë ta kthejmë Sali Berishën në qeverisje”, tha ajo ndër të tjera në fjalën e saj.