TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Skënder Hitajt i është besuar mandati 5-vjeçar për drejtimin e Policisë së Shtetit. Vendimi për emërimin e tij në krye të bluve është marrë sot nga qeveria, pasi emri i tij u propozua nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari. Lajmi u bë me dije nga vetë ministri, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se ky vendim është i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.
Hita, 46 vjeç, garoi përballë 13 kandidatëve të tjerë, mes tyre emra të rëndësishëm dhe me karrierë të gjatë në radhët e bluve, si Tonin Vocaj dhe Lorenc Paganika. Emri i tij rezultoi ndër kandidatët më të vlerësuar nga procesi konkurrues dhe iu propozua qeverisë nga ministri Lamallari.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Skënder Hita. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet. Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, drejtimi i saj kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës”, shkroi Lamallari.
Në 5 vitet e fundit, Hita ka qenë drejtues në qarqet më të vështira në vend, Shkodër, Durrës, Dibër dhe së fundmi në Fier.
Nga postet drejtuese në Shkodër, Durrës dhe Fier, kush është Skënder Hita, Drejtori i ri i Policisë së Shtetit
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është firmosur emërimi i Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit.
Deri tani Hita ka qenë drejtor i Policisë së Fierit dhe një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e uniformave blu.
Me një karrierë të ndërtuar në disa nga qarqet më të rëndësishme të vendit dhe në struktura që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik, Hita në vitet e fundit ka mbajtur poste drejtuese në disa qarqe.
Përvoja e tij drejtuese ka nisur në qarkun e Shkodrës, ku ka shërbyer si drejtor i hetimit të krimit. Një tjetër etapë e rëndësishme në karrierën e tij lidhet me drejtimin e Policisë në qarkun e Durrësit.
Ky qark përbën një nga zonat më të ndjeshme të vendit për shkak të portit më të madh në Shqipëri, aktivitetit të lartë ekonomik dhe lëvizjes së madhe të njerëzve e mallrave.
Gjatë periudhës së drejtimit të strukturave policore në Durrës janë zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale. Një nga rastet më të rëndësishme lidhet me zbërthimin e vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmia e të cilëve ndihmoi hetuesit të hedhin dritë mbi disa ngjarje të rënda kriminale në Durrës, Tiranë dhe në zona të tjera të vendit.
Më pas Hita ka drejtuar edhe policinë e Fierit, ku gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare ai është akuzuar nga opozita si të përfshirë në grupet kriminale.