AKTUALITET, 16 Shkurt 2025, 10:57

Vidhnin automjete, skafe, banesa dhe tabakino, goditet grupi që vepronte në Durrës dhe Tiranë

Vidhnin automjete, skafe, banesa dhe tabakino, goditet grupi që vepronte

Katër persona janë arrestuar nga policia në qytetin e Shijakut dhe një tjetër është shpallur në kërkim si anëtarë të një grupi i cili kryente grabitje në Tiranë e Durrës.

Bëhet fjalë për shtetasit Donald Subashi, Denis Marku, Elvis Muça dhe Artur Lama, ndërsa personi i shpallur në kërkim është 49-vjeçari Eneriko Zyle.

Pas hetimeve janë dokumentuar katër vjedhje të kryer prej tyre në Sukth, në fshatin Bilalas dhe në Mullet, Tiranë si dhe vijon puna për dokumentin e një sërë vjedhjesh të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky grup.

"Finalizohet operacioni policor i koduar “Theft network”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës.

Vidhnin automjete, mjete lundruese, banesa e tabakino, identifikohet dhe goditet grupi që vepronte në qarkun Durrës e Tiranë.

Vihen në pranga 4 pjesëtarë të grupit si dhe shpallet në kërkim një pjesëtar tjetër i grupit.

Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 4 vjedhje të kryera në Sukth, në fshatin Bilalas dhe në Mullet, Tiranë si dhe vijon puna për dokumentin e një sërë vjedhjesh të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky grup.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një mjet lundrues Skaf, një automjet kamionçinë si dhe prova të tjera materiale që do shërbejnë për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të kryera nga ky grup.

Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për marrjen e masave me qëllim parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një grup që kryente vjedhje në qarkun e Durrësit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Theft network”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:

D.S., 26 vjeç, banues në Marikaj;

D.M.,18 vjeç, banues në Shkodër;

E.M., 38 vjeç, banues në Mamurras;

A.L., 48 vjeç, banues në Mamurras.

Si dhe u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E.Z., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Si rezultat i veprimeve hetimore u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i ngjarjeve si më poshtë:

Vjedhja e mjetit lundrues skaf e shtetasit S. K., në Sukth;

Vjedhja në tabakinon e shtetasit R. V., në fshatin Bilalas;

Vjedhja e dy automjeteve e konkretisht furgon dhe kamionçinë, të vjedhura në Mullet Tiranë më datë 13.02.2025.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një mjet lundrues, një automjet kamionçinë, rrobat e përdorura nga personat e dyshuar në vjedhjen e tabakinos së shtetasit R. V., dhe katër aparate celularë.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentin ligjor të vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim"- njoftoi policia.