AKTUALITET, 18 Dhjetor 2025, 09:49

VIDEO/ Rama drejt Hagës: Proces farsë me dëshmitarë qesharakë. Do të takohem me Thaçin! Uroj që teatri absurd të mbyllet, turp për ata që e sponsorizojnë!

VIDEO/ Rama drejt Hagës: Proces farsë me dëshmitarë

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të vizitojë në Hagë Hashim Thaçin.

Në një lidhje live në rrjetet sociale, Rama shprehet se shkeljet e standardeve dhe të drejtave të njeriut, normave të procesit gjyqësor janë e vetmja normë që ka karakterizuar farsën, ku ish-presidenti dhe 3 ish krerët e UÇK-së, mbahen në qeli.

“Jam rrugës për në Hagë, ku do të takoj komandantin e ushtrisë çlirimtare, presidentin e republikë së Kosovës që u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare dhe për turpin e madh të gjithë atyre që e sponsorizojnë atë lloj drejtësie ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor, janë e vetmja normë që kanë karakterizuar këtë farsë, ku ende pa i dënuar një president i zgjedhur në mënyrë demokratike së bashku me 3 bashkëluftëtarë që kanë mbuluar nga detyra me të rëndësishme në Republikën e Kosovës, mbahen mbyllur, të izoluar. Tani që ka mbaruar parada e dëshmitarëve qesharake, si dhe kanë mbaruar edhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve mbrojtës, kanë mbaruar hetimet.

Uroj që viti i ardhshëm të jetë perdja e mbylljes së këtij tetari absurd të kësaj gjykate dhe të jepet pafajësia për Hashim Thaçin dhe bashkëluftëtarëve të tjerë. Njerëz që të vetmin faj kanë që u rebeluan ndaj regjimit dhe morën armë për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre njerëzor. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tund dot askush, e jo më një çekiç absurd që ka lënë kokrrën e namit”, tha Rama.