AKTUALITET, 29 Mars 2026, 17:41

VIDEO/ I armatosur, terrorizon lokalin në Kavajë, arrestohet 28-vjeçari, pas disa orësh ndjekje nga policia

VIDEO/ I armatosur, terrorizon lokalin në Kavajë, arrestohet

I armatosur terrorizon lokalin në Kavajë, kapet pas ndjekjes nga Policia!

Një 28-vjeçar ka shkaktuar panik në një bar-kafe në lagjen nr. 2 në Kavajë, pasi ka hyrë i armatosur, ka kanosur klientët dhe ka goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40, kur Policia mori njoftim për një person të armatosur që po ushtronte dhunë në ambientet e lokalit. Menjëherë shërbimet policore mbërritën në vendngjarje, por autori ishte larguar me shpejtësi me automjet, duke përplasur dhe dëmtuar një mjet të parkuar.

Gjatë ndjekjes nga Policia, 28-vjeçari humbi kontrollin e automjetit për shkak të shpejtësisë së lartë, duke u përplasur me trafikndarësen dhe një automjet tjetër. Më pas ai braktisi makinën dhe u largua në këmbë.

Pas disa orësh kërkimesh intensive dhe ndjekjeje, shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, arritën ta lokalizojnë dhe ta arrestojnë autorin në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Gjatë tentativës për t’u arratisur, ai hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet dhe u sekuestrua nga Policia. Po ashtu, në automjetin tip “Range Rover” që përdorte, u gjet një krehër me municion luftarak.

Nga hetimet paraprake rezulton se i riu ka kanosur dy klientë dhe ka goditur pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

I arrestuari, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, tashmë ndodhet në pranga, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.