AKTUALITET, 24 Janar 2026, 21:11

VIDEO/ Drejtoria e Burgjeve publikon pamjet e operacionit, 340 policë të përfshirë, si u transferuan 142 të burgosurit nga IEVP Fushë-Krujë

VIDEO/ Drejtoria e Burgjeve publikon pamjet e operacionit, 340 policë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë detaje zyrtare dhe ka publikuar pamjet nga operacioni i transferimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve nga IEVP Fushë-Krujë, i realizuar në zbatim të Planit të Masave Nr. 1261, datë 23.01.2026, në kuadër të procesit të rikonstruksionit të këtij institucioni.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një operacioni të mirëorganizuar dhe me masa të shtuara sigurie, janë transferuar gjithsej 142 persona, konkretisht 85 drejt IEVP Peqin dhe 57 drejt IEVP Durrës.

Operacioni është zhvilluar me angazhimin e forcave operacionale dhe speciale, punonjësve të specializuar dhe përdorimin e automjeteve të dedikuara. Në total, në këtë proces janë përfshirë 340 punonjës policie dhe 48 automjete.

Transferimi u realizua duke përdorur teknologji bashkëkohore dixhitale, përfshirë dronë për mbikëqyrje ajrore, sisteme anti-dron dhe sisteme komunikimi dixhital individual për çdo punonjës të angazhuar në operacion. Kamerat e trupit dhe ato të automjeteve transmetuan pamje live, duke garantuar transparencë, kontroll dhe siguri maksimale gjatë gjithë procesit.

Gjithashtu, operacioni u koordinua në kohë reale me institucionet ligjzbatuese përgjatë itinerarit të lëvizjes, përfshirë Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës, si dhe komisariatet përkatëse, duke siguruar bashkëpunim efikas ndërinstitucional.

Të dyja autokolonat mbërritën pa asnjë incident në destinacionet përkatëse, ku u zbatuan procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe akomodimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ky operacion dëshmon angazhimin maksimal të sistemit penitenciar për garantimin e sigurisë, investimin në infrastrukturë moderne, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe respektimin rigoroz të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sistemi penitenciar shqiptar vijon të jetë i përkushtuar në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor, transparent dhe të sigurt, në funksion të rendit, ligjit dhe dinjitetit njerëzor.