TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria ka prezantuar sot shoqërinë e re “Albanian Digital Solution” që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend. Kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo kompani 100% shtetërore, do të garantojë standarde të larta për sektorin publik, si dhe ndër të tjera do të jetë një garanci për mirëmbajtjen e sistemeve dixhitale të institucioneve shtetërore duke mos qenë më peng i sektorit privat.
“Ditë e shënuar në rrugën e revolucionit dixhital. Sot ne bëjmë publike një kompani të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re të zhvillimit të qeverisjes elektronike. AKSHI është histori e jashtëzakonshme suksesi, e cila ka kaluar përmes një rruge aspak të lehtë, një rrugë që ka nisur me një grusht shërbimesh dhe që pastaj ka kulmuar në 1200 shërbime publike online. Rrugë që ka nisur me një grusht njerëzish dhe më pas ka kulmuar me mbi 3 milionë përdorues, si rezultat edhe i momentit dramatik të pandemisë, ku e-Albania u bë shpëtimtare për shëndetin e shqiptarëve, ku përmes saj u zbatuan edhe masat e domosdoshme kufizuese.
Një rrugë ku sigurisht nevoja për financim ka ardhur duke u rritur, pasi sistemet e ndërtuara kërkojnë financim qoftë për t’u ndërtuar, qoftë për t’u mirëmbajtur. Një rrugë ku qartësisht lindi nevoja për të ndarë udhëheqjen e qeverisjes elektronike, përcaktimin e standardeve, rritjen e arkitekturës, koordinimin e forcave të përfshira dhe kontrollin e cilësisë me gjithë nivelin operacional.
Për ta ndarë jo më mes sektorit publik dhe privat, por atij publik, duke krijuar një kompani të re, ADS, që do të zhvillojë sisteme pa pasur gjithmonë nevojë që shteti t’i drejtohet privatit. Me ambicien që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme publike të zhvillimit të sistemeve dhe mirëmbajtjes së tyre. Kompaninë më të suksesshme në treg, e cila të ketë kapacitetin të kthehet në një hapësirë për të gjithë talentet, që të ketë pagat më të larta në tregun e shërbimeve dixhitale. Që të ketë kapacitetin që talenteve t’u ofrojë mundësinë që të bëhen pjesë e saj, duke kombinuar qoftë punën në zyrë, qoftë në distancë në funksion të qëllimeve.
Një kompani që të jetë garanci për institucionet e vendit që nuk mund të mbeten peng i privatëve në mirëmbajtjen e sistemeve të tyre. Të garantojë vazhdimësinë teknike, por edhe të ofrojë përgjegjshmërinë më të lartë institucionale dhe qytetare në raport me publikun, duke garantuar matshmërinë e shërbimit”, tha Rama.