AKTUALITET, 6 Shkurt 2025, 18:55

Vettingu i KPA-së nxjerr përfundimisht nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin Bujar Musta

Vettingu i KPA-së nxjerr përfundimisht nga sistemi i

Vettingu i KPA nxjerr përfundimisht nga sistemi i drejtësisë për 15 vitet e ardhshme gjyqtarin e Elbasanit, Bujar Musta.

Lihet në fuqi vendimi i KPK-së, i marrë katër vite më parë dhe i ankimuar nga ish-magjistrati. Mustës iu gjetën probleme në të tre kriteret e vlerësimit. Vendimi është marrë ditën e sotme.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo si anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 65/2021, datë 08.11.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Bujar Musta, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 447, datë 17.09.2021.

Në përfundim të gjykimit, në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 447, datë 17.09.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Bujar Musta. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, njoftoi sot KPA.