AKTUALITET, 13 Korrik 2026, 10:46

Vendimi/ Vrau gruan me armë gjahu, Gjykata e Shkodrës lë në burg 64-vjeçarin! Asnjë fjalë në seancë, mbrojtja kërkon ekspertimin psikik

Vendimi/ Vrau gruan me armë gjahu, Gjykata e Shkodrës lë në

Gjykata e Shkodrës ka lënë në qeli 64-vjeçarin, Shtjefën Ziçi i cili vrau me armë gjahu bashkëshorten e tij 55-vjeçare, Bardhe. Ziçi nuk ka folur asnjë fjalë para trupit gjykues, ndërsa avokati i tij Agim Martini ka kërkuar ekspertimin psikik të klientit të tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 9 korrikut, në unazën lindore të Shkodrës. Pas debatit në dyqanin ushqimor që administronin pranë banesës, 64-vjeçari mori armën e gjahut dhe qëlloi ndaj bashkëshortes në pragun e shtëpisë. Sipas hetimeve, 55-vjeçarja tentoi të largohej për t'i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra.

Grupi hetimor ka dyshime se 64-vjeçari e vrau bashkëshorten për motive xhelozie. Sipas hetimeve, ai i ka kërkuar bashkëshortes telefonin celular, çka ka sjellë një debat mes tyre. Pak çaste më vonë, është futur në banesë, ka marrë çiften që e posedonte me leje dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të gruas, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve. Djali jeton në Kanada, ndërsa vajza shërben si oficere në repartin ushtarak të Vau Dejës.