AKTUALITET, 3 Shkurt 2025, 13:36

Vendimi/ Të dënuar me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili rigjykohen për vrasjen e ish-anëtarit të Bandës së Lushnjes, Gerti Lala

Vendimi/ Të dënuar me burgim të përjetshëm, Laert

Kreu i grupit kriminal Laert Haxhiu dhe bashkëpunëtori i tij Orges Bilbili do të rigjykohen për vrasjen ish-anëtarit të bandës së Lushnjes, Gerti Lalës, ngjarje e ndodhur në vitin 2010.

Bilbili dhe Haxhiu asokohe, 15 vjeç morën pafajësi nga të dy shkallët e gjyqësorit, por vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë dhënë në Korrik të 2019, u prish nga Gjykata e Lartë në Janar të këtij viti.

Kjo e fundit dërgoi aktet në Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm në Tiranë në mënyrë që të rishqyrtojë edhe njëherë çështjen. Prokuroria e Vlorës, që hetoi dosjen për shkak se kishte seksionin e të miturve, nëpërmjet disa dëshmive, përgjimeve telefonike dhe ambientale të dy të akuzuarve, kërkoi dënimin e tyre për akuzën e vrasjes me paramendim.

Pas një procesi që zgjati disa vite, Shkalla e Parë dhe Apeli e rrëzuan prokurorinë duke deklaruar se nuk u provua që krimi ishte kryer nga ata. Haxhiu dhe Bilbili janë aktualisht duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për atë që njihet si masakra e Lushnjës ndodhur në 2017, ku mbetën 2 të vrarë dhe 1 i plagosur.