TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria ka miratuar projektligjin për pjesëmarrjen e personelit e forcave të armatosura në Republikën e Shqipërisë për operacion e NATO-s “FOCOPS”, në Detin Mesdhe.
Kjo trup është e përbërë prej 21 ushtarësh të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në kuadër të operacionit të NATO-s, “FOCOPS”.
Sipas vendimit të marrë, vendimi hyn menjëherë në fuqi, ndërsa Ministria e Mbrotjes për personelin pjesëmarrës dhe anijen në këtë operacion ka marr përsipër sigurimin e jetesës së tyre, duke nisur nga dietat ushqimore me 12 000 dita përveç pagës mujore.
Ndër të tjera, ajo do të sigurojë dhe siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit, mbështetjen shëndetësore si dhe shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare.
Sakaq, kohëzgjatja në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe, është deri më 31.12.2028. Qëndrimi në këtë operacion është deri në 21 (njëzet e një) ditë në vit, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes në këtë operacion.
Vendimi i plotë:
PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “FOCOPS”, NË DETIN MESDHE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Dërgimin në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe, të 1 (një) anijeje të klasit “Iliria”, e kompletuar me efektivë, të përbërë nga 21 (njëzet e një) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
2. Misioni i anijes është kryerja e detyrave të patrullimit, zbulimit detar, dhënies së ndihmës, njohjes së situatës detare, identifikimit, verifikimit, ndalimit të objekteve detare, në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2), në detet Adriatik dhe Jon (Deti Mesdhe), në kuadër të operacionit të NATOS-s, “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe.
3. Komandimi operacional i anijes gjatë periudhës së angazhimit në mision kryhet nga komandanti i grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2. Për çdo rast, anija ruan varësinë në nivelin kombëtar, duke raportuar në mënyrë periodike për mbarëvajtjen e misionit.
4. Kohëzgjatja në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe, është deri më 31.12.2028. Qëndrimi në këtë operacion është deri në 21 (njëzet e një) ditë në vit, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes në këtë operacion.
5. Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës dhe anijen në këtë operacion, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) ushqimin;
ç) sigurimin e anijes;
d) siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
dh) mbështetjen shëndetësore;
e) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
ë) karburant, lubrifikante;
f) transportin e personelit për në zonën e operacionit;
g) aktivitete social – kulturore në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së operacionit;
gj) transportimin e individëve të shkëputura nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
h) taksa portuale, shërbime portuale dhe të kalimit nëpër ngushtica;
i) riparimin e nivelit të dytë të anijes pas kthimit nga operacioni;
j) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
6. Transporti i personelit të anijes që merr pjesë në këtë operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur të operacionit për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga pala shqiptare, përveç rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, ku pala tjetër merr përsipër këto shpenzime.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU