AKTUALITET, 13 Shkurt 2025, 23:38

“Veliaj duhej hetuar si shkallmues i demokracisë”, Lala debaton me Bushatin: SPAK-u preku kandidatin për kryeministër

“Veliaj duhej hetuar si shkallmues i demokracisë”, Lala debaton

Analisti Andi Bushati debatoi me gazetaren Klodiana Lala për hetimet e SPAK-ut ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Bushati tha se Veliaj duhej hetuar jo si financues i vanitetit të gruas, por si shkallmues i demokracisë. Ndërsa Lala u shpreh se SPAK ka prekur njeriun numër dy të PS, kandidatin potencial për të pasuar Edi Ramën dhe për të qenë kandidat për kryeministër nesër.

Pjesë nga debati

Andi Bushati: Rama ka përdorur gjuhë të tillë kundër Top Channel, televizion gjobaxhi, nxin realitetin e me rradhë. Por nuk besoj se ka shqiptar që beson se TCH është pavarësuar nga Rama. Edi Rama po t’i besoj në gjuhë, ka thënë Veliajn do ta varte në pemë, por nuk besoj se është rezultat i kësaj. Thënë këto, jam dakord që nëse ka një gjë që mund t’i njihet SPAK, i pari zyrtar në detyrë që merret nga zyra është e pamohueshme dhe njihet. Pse e lidha me dosjen?
A është goditje e madhe e SPAK që ka arritur te Veliaj? Nuk e besoja, që do ta kapte para zgjedhjeve. Është një goditje e madhe. A është shumë e vogël që po e kap për brekët dhe sutjenat e Ajolës? Po është e vogël. Pse?
Nuk jam prokuror dhe Preçi e thotë shpesh që nuk ia caktojmë ne as axhendën dhe as prioritetet SPAK-ut. Ne duhet ta shohim SPAK përballë të vërtetës. Po të isha prokuror imagjinar, unë në vend që të kapja Driand Zenelin, që sa fonde ke marrë për Harabelin, do të merrja një nga ata që Këlliçi i ka cituar me emër, njerëz që Erion Veliaj dhe njerëzit e 5D, i kaluan nga PD dhe i blenë në militantë socialistë në zgjedhje. Po të isha një prokuror, nuk do merresha me brekët dhe sutjenat e Ajolës, por me milionat që kanë shkuar nga vëllai i Veliajt për mediat. Pra, të jesh një hajdut xhepist ordiner është krim i rëndë, por të jesh hajdut që vjedh zgjedhjet, që blen mediat, që kthen në sharlatanë aktorët e Teatrit që mbrojtën Teatrin dhe bëjnë të thonë të bardhën të zezë brenda ditës, je minues i demokracisë.
Erion Veliaj, nga organet tona të drejtësisë, duhej hetuar jo si financues i vanitetit të gruas, por shkallmues i demokracisë. Nëse SPAK do të guxonte të shkonte aty, mund të shkonte te ai që sot bën sikur është nxehur. SPAK njëlloj si për Bllakon dhe Kokën, synon hajdutin e rëndomtë dhe jo ingranazhin e një sistemi kriminal. Refuzon t’i shohë si ingranazhet e sistemit kriminal. Prandaj jemi mbledhur këtu katër burra dhe dy gra që të diskutojmë se sa vlejnë brekët e Ajolës. Për këtë jemi sot.

Pano Soko: Nuk po flet njeri për atë.

Andi Bushati: Është komunikata e parë e SPAK.

Pano Soko: Janë 5 mijë faqe hetime. Ti je kapur me gjysëm faqe, ti dhe Rama. Aty janë 150 milionë euro tendera, ti thua brekët. Që nuk janë pak edhe ato, 10 mijë pensione ka marrë "motra". Ti je kapur njëlloj si Rama. Janë 150 mln euro aty. 60 i ka Fusha dhe 50 ky tjetri, 110. Çfarë thua, mor shok? Mos e dëgjo nga Rama dosjen, lexoje vetë.

Andi Bushati: Unë desha të flas për dosjen, por refuzuat. Kisha ardhur me çdo nen të dosjes për ta diskutuar. Doli që është paguar një violinist që nuk dinte t’i binte violinës...

Klodiana Lala: Të ndalemi me rradhë, është rasti parë që prokuroria ka prekur sistemin dhe jo ingranazhin. Ka prekur kryetarin e bashkisë, ka arritur të prekë elitën ekonomike të vendit, janë dy nga biznesmenët më të suksesshëm, Sula dhe Fusha. Pra kanë përfituar nga firma. Vila në Qerret llogaritet 500 mijë euro, është korrupsion galopant. E dyta, nuk u ndale te kjo pjesë. Kur përdora argumentin e violinistit po të tregoja se është pretenduar se janë bërë aktivitete për artin dhe kulturën, por në fakt janë bërë thjesht fatura fiktive për njerëz që paguhen si violinistë dhe nuk dihet se çfarë punë bëjnë. Ju vazhdoni në një argument, sepse jeni zënë në çark, pasi e keni sulmuar gjithë kohën SPAK-un, tani SPAK me gjithë problematikat që ka, se ka shumë problematika, di shumë më tepër se sa ju se e mbuloj atë institucion, por ka prekur njeriun numër dy të PS, kandidatin potencial për të pasuar Edi Ramën dhe për të qenë kandidat për kryeministër nesër. Ka prekur njeriun me portofolin më të madh financiar. Janë qindra milionë euro dhe qindra leje ndërtimi të dhëna. Nisur nga ky hetim, qytetarët që mund të kenë fakte mund t’i drejtohen prokurorisë.