AKTUALITET, 13 Shkurt 2025, 16:38

Veliaj do të qëndrojë vetëm në qeli në burgun e Durrësit, nuk ka shfaqur asnjë kërkesë

Veliaj do të qëndrojë vetëm në qeli në burgun e

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zgjedhur të izolojë kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, në një qeli, duke e mbajtur totalisht të vetmuar me të dënuarit dhe paraburgosurit e tjerë. Mëngjesin e sotëm, Veliaj është akomoduar në paraburgimin e Durrësit, ku administrata e këtij institucioni kishte mundësuar një dhomë personale për kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj.

Sipas burimeve pranë IEVP-së Durrës, Veliaj do qëndrojë i vetëm në qeli për një periudhë kohe, deri në kryerjen e një analize risku mbi gjendjen shëndetësore të tij dhe gjendjen e rrezikut në raport me personat e tjerë në burg.

Kjo kohë është periudha e “observimit”, thanë burimet pranë burgut të Durrësit, të cilët konfirmuan se gjatë kësaj kohe do kryhet dhe vizita e mjekut dhe përmbushet kartela e personit të arrestuar. Në ditën e parë, vetë kryetari i bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, nuk ka shfaqur asnjë kërkesë personale për sjelljen e ndonjë sendi të domosdoshëm që i nevojitet në burg.