AKTUALITET, 4 Prill 2024, 21:44

Vartësit e Veliajt në pranga, Neritan Sejamini: Kryetari i Bashkisë na trajton si budallenj, nuk tregoi dinjitet me reagimin

Vartësit e Veliajt në pranga, Neritan Sejamini: Kryetari i

Neritan Sejamini ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka folur për reagimin e Erion Veliajt pas arrestimit të drejtorëve të Bashkisë, të dyshuar për korrupsion me kompaninë "5D Konstruksion". 

Sejamini tha se Veliaj po përpiqet të fshihet dhe me reagimin e tij na konsideron "budallenj" duke deklaruar se bëhet fjalë për 1-2 persona, ndërkohë që janë 9 drejtorë në hetim, njerëzit kryesorë të tij, pjesë e shtabit elektoral. 

"Politikanët nxjerrin karakterin e tyre dhe duken se kush janë në momente të vështira kur përballen me sfida, fatkeqësi dhe probleme. Qytetarët prisnin që Veliaj të tregonte dinjitet. Mund të thoshte dy gjëra, ndjej keqardhje, unë nuk jam pjesë e kësaj skeme, i bëj thirrje drejtësisë të hetojë. Kështu do të kishte treguar dinjitet. Me këtë që bëri, është përpjekje për t’u fshehur.  

Ai thotë 1-2 persona, në fakt janë 9 drejtorë të përgjithshëm. I quan kolegë, në fakt ata janë vartës. Nuk thotë që i kanë pushuar nga puna, por thotë time-out, pra i ka lënë pak pushim. Pra ky lloj trajtimi që i bën çështjes është fyerje, mendon se jemi budallenj. Ai nuk po mbrohet, unë e marr fyerje personale. E marrim sikur Veliaj është i ndershëm, pres të tregojë pak dinjitet, me këto budallëqe që thotë, ose është ai budalla ose na mendon ne për idiotë.

Politikanët dallohen në momente të vështira dhe aty zakonisht dështojnë", tha Sejamini. 

Lidhur me faktin se Veliaj kishte mbledhur disa gjimnazistë në Bashki dhe u fliste për drejtorët, Sejamini tha se është skandal që fëmijët të keqpërdoren dhe të çohen në Bashkinë e Tiranës, që sot është simbol korrupsioni. 

"Ne i çojmë fëmijët në shkollë për t’i edukuar, për të drejtën dhe të mirën, kundër vjedhjes dhe të keqes. Kur Bashkia është simbol i korrupsionit, një mësues merr nxënësit më të mirë dhe ja çon këtij institucioni", tha Sejamini.