TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Brenda një kazerme politike si Partia Socialiste nuk guxon kush të ngrejë zërin kundër shefit, por kur vjen puna te rivaliteti i brendshëm, partia zien nga intrigat dhe sulmet pas shpine. Mjafton të shohësh mediat që tradicionalisht mbështesin Erjon Veliajn, se si këto ditë janë shqetësuar në bllok për trafikun e rënduar të automjeteve në Tiranë.
Në fakt, lajmi që qarkullon në të njëjtat media pro-Veliajt nuk është shqetësimi i qytetarëve për trafikun e Tiranës, por se hapja e unazës së re nuk pati asnjë efekt për ta lehtësuar qarkullimin.
Hapja e unazës së re në Tiranë u paralajmërua me bujë nga Belinda Balluku dhe u inaugua në 31 dhjetor nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Balluku. Premtimi i të dyve ishte se tani ky segment i ri rrugor do ta lehtësonte trafikun e Tiranës.
Fillimisht hapja e rrugës së re u përcoll me pozitivitet nga mediat pro-mazhorancës, por kjo nuk zgjati shumë. Një burim që nuk pranoi të identifikohej, zbuloi për Lapsi.al se Veliaj nuk e gëlltiti dot mungesën e një ftese në ceremoninë e hapjes së plotë të unazës së re të Tiranës.
Në fakt, gjatë kohës kur qeveria kishte nevojë për Veliajn, ky ndihmoi për shpërnguljen e banorëve të cilëve iu prishën shtëpitë në gjurmët e unazës së re. Bashkë me Belinda Ballukun, kryebashkiaku Veliaj është shfaqur edhe në inspektimin e punimeve të unazës, duke premtuar se do të nxitonte me vendimet e këshillit bashkiak për pagesën e qirave të banorëve të shpërngulur.
Tani që SPAK i ka ngarkuar mbi shpinë hetimet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, ishte momenti kur Veliajt i nevojitej më shumë se kurrë mbështetja e kupolës së Partisë Socialiste.
Por në vend se ta ftojnë në një projekt ku ka kontribuar edhe bashkia dhe që prek direkt jetën e qytetarëve të Tiranës, ai e sheh të shmangur nga dyshja Rama-Balluku si të ishte një i sëmurë me lebrozë.
Prandaj dhe mediat që e mbështesin nuk po e përcjellin hapjen e plotë të unazës së re si një sukses, por si një dështim në lehtësimin e trafikut në Tiranë.
Për trafikun e rënduar në Tiranë në të njëjtat media gjen edhe filmime me dron, ku duken mijëra mjete që lëvizin ngadalë.
Interesante është se i njëjti shqetësim i ka kapur njëherësh të gjitha televizionet dhe portalet, që tradicionalisht kanë mbështetur Erjon Veliajn dhe që më parë, nuk i kanë prekur tema të tilla me konotacion negativ për qarkullimin e mjeteve në Tiranë.
SPAK po heton kryetarin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Në fillim u duk sikur hetimi e i dha një goditje të pariparueshme karrierës së tij politike, por Veliaj paralajmëroi se nuk do të dorëzohet. Në një takim që pati me pensionistë në 5 janar ai tha se letrat anonime nuk do ta largonin dot.
“Nuk dorëzohem, mos ki merak! E di për çfarë ma thua, por nuk dorëzohem. Po të duan, le ta marrin me votë, por me hile e anonime jo… Po t’i kenë votat, e lë vetë dhe iki, por… S’ta fal njeri suksesin, meazallah! Me sa duket, kështu është ndarë, ca do bëjnë punën… Nuk dorëzohem unë me këta personazhe, se nuk e meritojnë! U them këtyre shokëve të mi – se kemi shokë edhe nga e djathta, kemi qenë në një shkollë bashkë – po më thatë që keni ndërtuar një shkollë të re, e lë unë këtë punë që tani, se do të thotë që dini të bëni një punë. Por, të mos kesh bërë asnjë shkollë e t’i thuash tjetrit që ka ndërtuar 45, rri tani ti, hajde me letra anonime! Ua thashë, iku ai sistemi i letrave anonime. Po jeni burra, shkoni te fleta e votimit, nëse keni vota dhe mbështetje në popull. Megjithatë, duhet ecur përpara” –u shpreh Veliaj.
Mes rreshtave ngjan sikur Veliaj iu referua Belind Këlliçit, të cilin e akzuon se nuk ka dëftesën e shkollës së mesme, por në realitet mesazhi ishte për ata që në Partinë Socialiste fërkojnë duart për vendin bosh që do të lërë kryebashkiaku i Tiranës.
Kush ka dyshime se bëhet fjalë për Belinda Ballukun, le t’i hedhë një sy mediave probashkiake./Lapsi.al