AKTUALITET, 20 Prill 2024, 13:02

U procedua penalisht pas protestës, reagon Tedi Blushi: Policët më ndaluan me dhunë të hyja në Bashkinë e Tiranës!

U procedua penalisht pas protestës, reagon Tedi Blushi: Policët

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi ka reaguar pasi u procedua penalisht nga policia pas tubimit të ditën së djeshme para godinës së Bashkisë.

Tedi Blushi shprehet se do të jetë gjithmonë në ballë të protestave qytetare “me çdo çmim dhe sakrificë në mbrojte të interesit publik”.

“Do të jem në krye të çdo aksioni politik për shkuljen nga rrënjët të Regjimit të kalbur të “Rilindjes”! Më keni Ballë për Ballë”, shkruan ai.

Tedi Blushi deklaroi se u procedua penalisht nga policia pasi u ndalua që të hyjë në Bashkinë e Tiranës për të kërkuar informacion lidhur me dhjetëra kërkesat e opozitës.

“Policia e Partisë më paska proceduar politikisht pse u pengova prej saj të ushtroj detyrën e Këshilltarit të Bashkisë së Tiranës duke më ndaluar me dhunë të hyj në Bashkinë e Tiranës për të kërkuar informacion lidhur me dhjetëra kërkesat e opozitës drejtuar këtij institucioni të shndërruar në modelin më keq të korrupsionit dhe inkriminimit.

Pronari faktik i inceneratorit të Tiranës dhe kryetari i organizatës kriminale 5D, Erion Veliaj, ministri i Bandave, Taulant Balla, përfshi shefin e tyre, Edi Rama ta harrojnë se do të më ndalin të mbroj interesin qytetar me të tilla kërcënime ordinere që nuk trembin askënd.

Me çdo çmim dhe sakrificë do të jem gjithmonë në ballë të protestave qytetare, në mbrojtje të interesit publik, në krye të çdo aksioni politik për shkuljen nga rrënjët të Regjimit të kalbur të “Rilindjes”! Më keni Ballë për Ballë!”, shkruan Tedi Blushi.