AKTUALITET, 18 Dhjetor 2025, 23:45

U paraqit sot në SPAK, avokati Cakrani: Dëshmia që dha Ilir Meta për ngjarjet që çuan te 21 janari 2011

U paraqit sot në SPAK, avokati Cakrani: Dëshmia që dha Ilir Meta

Ish-presidenti Ilir Meta u paraqit sot në SPAK për të dëshmuar për 21 janarin 2011, kur një protestë e organizuar nga PS atëherë në opozitë përfundoi në dhunë, 4 të vrarë dhe dhjetra të plagosur.

Në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, avokati i Metës, Kujtim Cakrani dha detaje se pse u vetëofrua ish-presidenti për të dëshmuar dhe çfarë kishte deklaruar për ngjarjet që paraprinë atë ditë.

“Zoti Meta ka dëshmuar sot për 21 janarin. Një ditë që unë isha me presidentin në ambientin e paraburgimit diskutuam për 21 janarin dhe aty lindi një ide që zoti Meta donte të dëshmonte përsa i përket kësaj ngjarje, duke marrë parasysh faktin që Prokuroria e Posaçme kishte pyetur zotin Basha, do të vinte zoti Berisha, zoti Topi, pra, të gjithë personazhet e kohës.

Zoti Meta më autorizoi që unë t’i drejtohem organit të procedurës, pra prokurorit, me një kërkesë të cilën unë ia paraqita.

Sot ai ka dëshmuar aty përsa i përket shumë ngjarjeve që kanë ndodhur përpara se të vinte 21 janari, sepse ne jemi marrë vetëm me pjesën fundore, atë të vrasjes së 4 qytetarëve, por nuk është marrë askush me çfarë ka ndodhur para datës 21 janar e kështu me radhë.

Zoti Meta menjëherë pasi ka dalë në video, ka dorëzuar mandatin e deputetit dhe ka kërkuar që të hetohej pa mandat, sepse në atë periudhë mandati i deputetit ishte shumë i rëndësishëm për të nisur procedimin penal.

Një javë para protestës, të datën 14 janar ai ka kontaktuar me të huaj, pra me personazhe të cilët kishin nën mbikëqyrje, pse jo edhe amerikanë të shërbimeve të ndryshme të cilët e kanë këshilluar atë që duhet të jepte dorëheqjen si zv/kryeministër, sepse Edi Rama, Partia Socialiste, opozita e kohës në tërësi kishte në plan të organizonte protesta të dhunshme dhe mund të kishte edhe gjakderdhje. Nisur nga kjo e rekomanduan që të jepte dorëheqjen dhe në datën 14 janar ai ka dhënë dorëheqjen.

Ka pasur nformacione dhe ia ka shpjeguar organit të procedurës sot që njerëz të cilët unë nuk jam autorizuar të bëj dhe emra, por po them si ngjarje, të cilët kishin organizuar protestë të dhunshme dhe do kishte edhe të vrarë, pra do kishte gjakderdhje.

Dhe kjo si shkak sepse opozita e kohës kërkonte një alibi, qoftë edhe heronj, për të vazhduar kauzën e tyre për të ardhur në pushtet e kësaj radhe.

Dhe të gjitha këto informacione, zoti Meta ia ka dërguar me shkrim si drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese, siç janë Shërbimi Informativ Kombëtar.

Kjo është një çështje nën hetim, emrat ai i ka bërë aty kush duhet të thirret dhe personazhet të cilët kanë qenë për dhunë dhe kanë organizuar edhe grupe kriminale, të cilët duhet të kryenin edhe goditje”- tha ndër të tjera avokati Kujtim Cakrani.