AKTUALITET, 24 Janar 2023, 12:31

U masakrua në një lokal në ish-Bllok, kush është 40-vjeçari i dënuar për shfrytëzim prostitucioni në Itali

U masakrua në një lokal në ish-Bllok, kush është
Eder Dorzi

Policia e Tiranës thotë se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona të dyshuar se kanë masakruar me thikë në një lokal në zonën e ish-Bllokut 40-vjeçarin Eder Dorzi.

Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Policia e Tiranës gjithashtu sqaron se ngjarja nuk është fshehur, siç është pretenduar nga disa media, por mospublikimi është bërë për arsye hetimi.

Personat e shpallur në kërkim për tentativën e vrasjes me thikë të 40-vjeçarit të cilin e qëlluan me thikë 27 herë, janë shtetasit Maren Hoxha dhe Heridon Hasa.

"Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetas të plagosur me mjet prerës, në një lokal, në rrugën “Vaso Pasha”, ju sqarojmë se ngjarja nuk është fshehur, por për arsye hetimi, me qëllim identifikimin e autorëve, nuk është bërë publike. Në lidhje me këtë ngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është punuar intensivisht për identifikimin e autorëve.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë shpallur në kërkim shtetasit M. H., 27 vjeç dhe E. H., 27 vjeç, pasi kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spitalin, nën kujdesin e mjekëve"-tha policia.

Eder Dorzi, i cili u masakrua me thikë 3 ditë më parë, teksa ishte në një lokal në ish-Bllok duke pirë kafe. 40-vjeçari ishte në tavolinë, kur dy persona iu afruan dhe qe qëlluan 27-herë me thikë. Në lidhje me ngjarjen policia ka shpallur në kërkim Maren Hoxha 27 vjeç dhe Heridon Hasa 27 vjeç.

Dorzi është një emër i njohur për policinë, pasi ai më herët ka qenë i dënuar në Itali për prostitucion. 40-vjeçari ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje kritike dhe sipas familjarëve ka 27 plagë në trup të shkaktuara nga goditjet me thikë dhe rrezikon që të paralizohet, pasi nuk i lëviz dot këmbët dhe duart. Ende nuk dihen shkaqet e konfliktit dhe 40-vjeçari deklaron se nuk ka konflikt me njeri.