AKTUALITET, 1 Prill 2026, 10:30

U lirua para 7 muajsh/ U dënua nga Apeli i GJKKO, ish kryebashkiaku Goro rikthehet në burg! Policia e Vlorës ekzekuton vendimin

U lirua para 7 muajsh/ U dënua nga Apeli i GJKKO, ish kryebashkiaku Goro

Plot 7 muaj pas daljes nga qelia, ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro do të rikthehet përsëri në izolim ku i kanë mbetur për të shlyer edhe 6 muaj e 10 ditë burg.

Goro është paraqitur mbrëmjen e djeshme në Komisariatin e Vlorës ku është bërë dhe ekzekutimi i vendimit për masën “arrest me burg”.

Ish-kryebashkiaku socialist do të rikthehet në qeli pas një vendimi të formës së prerë të Apelit të Posaçëm të GJKKO-së. 

Pas konfirmimit të dënimit me 2 vite burg (të reduktuara në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar), SPAK ka bërë përllogaritjen e kohës së vuajtur në paraburgim dhe ka dalë në përfundimin se Goros i mbeten edhe 6 muaj e 10 ditë për të shlyer.

Vendimi i Apelit lidhet me çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhës, për të cilën Goro ishte dënuar edhe në shkallë të parë nga GJKKO më 30 korrik 2025 me 2 vite burg.

Ndërkohë, më herët ai kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, lidhur me tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë tokë në Gjilek të Himarës, nga i cili përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar dhe u lirua.