TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i dënuar në mungesë me 2 vjet burg nga Gjykata e Posaçme, ka fituar statusin e azilantit politik në Itali. Lajmi u konfirmuar për mediat nga avokati i tij, Sokol Hazizaj. Sipas mbrojtësit, kërkesa e Llallës për azil është miratuar nga Gjykata e Apelit të Romës.
Në verdiktin e saj, pala italiane ka ngritur dyshime mbi bazueshmërinë e vendimit të Gjykatës së Posaçme. Duke iu referuar problemeve shëndetësore të Llallës dhe dënimit me burg ndaj tij, Apelit i Romës, ka nënvizuar se legjislacioni shqiptar për dënime të tilla nuk mund të aplikojë dënimi me burgim.
Adriatik Llalla u fajësua në Shqipëri për “fshehje, deklarim të rremë të pasurisë”. Ai i shpëtoi vajtjes në qeli, pasi u largua nga vendi pak ditë para se dënimi i tij me 2 vite burg të merrte formë të prerë.
Llalla ishte arrestuar në Romë më 10 dhjetor 2021. Gjykata e Posaçme e dënoi në muajin maj me 2 vite burg, si dhe 5 vjet heqje funksionesh publike, ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Që prej asaj kohe, ai ishte në kërkim. Po ashtu, Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës.
Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA, atij dhe familjarëve.
Llalla kërkoi të shpallet i pafajshëm për akuzën. Sipas avokatit Sokol Hazizaj, çështja ndaj Llallës ishte e paragjykuar, e njëanshme, e padrejtë dhe e paligjshme dhe procesi ishte i stisur.
Në prill 2022, Gjykata e Lartë kishte refuzuar kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për të pezulluar dënimin me 2 vite burg. Në vendimin e arsyetuar, Kolegji Penal e vlerësonte si të pabazuar pretendimin e ish-kryeprokurorit, se i rrezikohet jeta në qeli për shkak të problemeve shëndetësore.
“Kjo sëmundje mund të kurohet dhe të ndiqet nga mjekë specialistë edhe në kushtet e qëndrimit në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale, pa rrezikuar jetën e kërkuesit. Fakti që kërkuesi vuan nga kjo sëmundje që prej vitit 2009, siç parashtrohet në vlerësimin mjeko-ligjor, dëshmon që kjo sëmundje mund të kurohet dhe mbahet nën kontroll nga subjekti edhe ndërkohë që ai vuan dënimin e caktuar ndaj tij”.
Edhe pretendimi i Llallës se është baba i tre fëmijëve, një prej të cilëve i mitur, nuk është parë si rrethanë ndihmuese nga Kolegji Penal, që shkon me tej, duke e cilësuar shoqërisht të rrezikshëm ish-kryerprokurorin.
“Kolegji vlerëson se referuar situatës procedurale të kërkuesit, faktit që ai nuk ka përmbushur detyrimin për ekzekutimin vullnetar të vendimit penal, por është larguar duke e bërë të pamundur ekzekutimin e dënimit, deri sa është arrestuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, dëshmojnë jo vetëm rrezikshmërinë shoqërore të kërkuesit, por edhe mundësinë e përsëritjes së kësaj sjelljeje në të ardhmen”.
Në të njëjtin vendim Gjykata e Lartë kishte shumëzuar me zero edhe pretendimin e Adriatik Llallës për të marrë parasysh faktin se ka ushtruar funksione të larta në institucione kushtetuese.
Pasuritë e konfiskuara të ish-kryeprokurorit
Pasuria e paluajtshme nr.39/146-ND+1-21, zona kadastrale nr.8518, e llojit apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë me kontratën nr.432 Rep dhe nr.221 Kol, datë 19.03.2012;
Pasuria e paluajtshme nr.64/40, zona kadastrale nr.3091, volume 3, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², blerë me kontratën nr.972 Rep dhe nr.546 Kol, datë 05.12.2016;
Pasuria e paluajtshme nr.64/61, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 198, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.316 Rep dhe nr.187 Kol, datë 15.03.2017;
Pasuria e paluajtshme nr.64/62, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 199, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.315 Rep dhe nr.186 Kol, datë 15.03.2017; Pasuria e paluajtshme nr.64/58, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.573 Rep dhe nr.376 Kol, datë 15.05.2017.