AKTUALITET, 26 Janar 2023, 17:43

U dënua me 2.4 vite burg për korrupsion me tenderat, lirohet nga burgu Fatos Tushe

U dënua me 2.4 vite burg për korrupsion me tenderat, lirohet nga burgu

Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka liruar nga qelitë ish-kryetarin e Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Florjan Kalaja, ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij, ndërsa arsyetimi i vendimit do të publikohet më vonë. Ai u dënua më 29 korrik të vitit të shkuar me 2 vite e katër muaj burg, pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, ndërsa SPAK kërkoi 5 vjet heqje lirie.

Tushe u arrestua nga policia në ambientet e Bashkisë së Lushnjës paraditen e 6 qershorit të vitit të shkuar nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës bashkë me tetë vartës së tij si dhe dy biznesmenë.

Tenderi që e çoi në pranga me urdhër të SPAK, ishte prej milionë lekësh të rinj për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj të Njësisë Administrative Kolonjë. Sipas të dhënave të tenderit, në garë kanë marrë pjesë tri kompani, përfshirë edhe kompaninë “Euro Alb SHPK”, me pronar Bujar Muratin, një nga biznesmenët e arrestuar.

Kompania e Muratit u shpall fituese e tenderit në fjalë me fondin limit të vënë në dispozicion nga qeverisja vendore e Bashkisë Lushnjë. Nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, sipas SPAK, kompania arriti të fitojë tenderin e Bashkisë me fondin limit.

Në krye të skemës së abuzimit ishte Flamur Peqini, drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike dhe ish-kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnjë, si dhe zyrtarët nën varësi të tij. Nga përgjimet, vëzhgimet në terren dhe kontrollet e transaksioneve, ka rezultuar që zyrtarët e këtij institucioni, paratë e tenderëve i kalonin në mënyrë fiktive te kompanitë private.