AKTUALITET, 4 Maj 2024, 12:12

U arrestua si i dyshuar për kultivim narkotikësh, Gjykata e Lezhës lë të lirë vëllain e deputetit të PS-së

U arrestua si i dyshuar për kultivim narkotikësh, Gjykata e

Gjykata e Lezhës ka lënë të lirë vëllain e deputetit të Partisë Socialiste Eduard Ndreca, Armando Ndreca, i cili ishte i dyshuar si i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në Kashnjet të Lezhës. Arrestimi i Ndrecës u konsiderua i paligjshëm nga gjykata, pasi sipas saj u bë pa prova bindëse dhe mori vendimin për lirimin e tij.

Nga hetimet e prokurorisë, nga këqyrja e telefonit të të arrestuarit E. Sh., është gjetur i regjistruar numri i telefonit anglez, me emrin “Bellanoca” dhe ky numër, sipas informacioneve të grumbulluara nga policia, i përket Armando Ndrecës, por në vendim thuhet se nuk është arritur të provohet diçka e tillë.

Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se Ndreca ka pasur telefonata edhe me një tjetër të arrestuar në flagrancë për kanabisin, Armel Nikdukaj, në telefonin e të cilit ka pasur thirrje me Armando Ndrecën, gjithashtu dhe nga informacionet e mbledhura nga policia gjyqësore janë krijuar dyshime se vëllai i deputetit ka qenë i përfshirë, por sërish nuk rezulton se janë paraqitur prova konkrete, por pavarësisht kësaj gjykata ka vlerësuar se jemi në një fazë shumë të hershme të hetimeve paraprake ku mjaftojnë indiciet apo të dhënat që mund të krijojnë arsye për të dyshuar se i ndaluari të ketë kryer veprën për të cilën akuzohet.

Gjykata thekson faktin se kërkesa me shkrim e prokurores Irena Sufaj është paraqitur për të vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”, por në seancën gjyqësore prokurorja ka ndryshuar qëndrim duke kërkuar "detyrim paraqitje".

Ndryshimin e qëndrimit prokurorja Sufaj mësohet se e ka justifikuar me arsyen se nga hetimet e deritanishme nuk kanë rezultuar prova që të justifikojnë vendosjen e një mase sigurimi më të rëndë, si dhe me justifikimin tjetër se ka qenë një kohë e shkurtër dhe për këtë nuk janë administruar nga organi i akuzës disa prova, siç janë transkriptimet e përgjimeve të realizuara nga policia për këtë procedim.

Në këtë aspekt, sipas vendimit të gjykatës, rezulton se ka qenë vetë prokurorja e çështjes, e cila në seancë ka ndryshuar qëndrim, duke vlerësuar përpara gjykatës se nuk ka prova të mjaftueshme dhe masa duhej ndryshuar. Duke parë qëndrimin e prokurores dhe provat e paraqitura prej saj, gjyqtarja Edlira Çota vlerësoi të paligjshëm ndalimin e Armando Ndrecës, pasi nuk plotësohen kushtet dhe kriteret e kërkuara nga ligji si dhe caktoi masën “detyrim paraqitje" një herë në dy javë.