AKTUALITET, 16 Janar 2026, 15:08

U akuzuan për komplot në vrasjen e Maduros, lirohen disa të burgosur. Mes tyre edhe shqiptarë

U akuzuan për komplot në vrasjen e Maduros, lirohen disa të

Një grup të burgosurish shqiptarë, irlandezë, çekë, rumunë dhe gjermanë, të akuzuar për një komplot për vrasjen e Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, janë liruar nga burgu.

Lajmin e bën të ditur media çeke, e cila njofton gjithashtu lirimin e Jan Darmovzal, për të cilin diplomacia e Pragës kishte kërkuar ndihmë edhe nga SHBA për ta liruar.

“Pas disa javësh negociatash intensive, kemi arritur lirimin e Jan Darmovzal nga burgu në Venezuelë,” deklaroi ministri i Jashtëm çek, Petr Macinka, të premten në mëngjes.

“Sot, në orët e para të mëngjesit, rreth orës 4:00 (sipas kohës së Pragës), ai u lirua së bashku me një grup të burgosurish nga Irlanda, Rumania, Gjermania, Shqipëria, Ukraina dhe Holanda. Ne kemi dërguar një avion, i cili tashmë ndodhet në ajër, ndaj falënderoj gjithashtu ministrin e Mbrojtjes, Jaromír Zůna, i cili qëndroi zgjuar gjithë natën me ne për ta organizuar këtë proces. Tani do t’i sjellim në shtëpi të gjithë të burgosurit e liruar.”

Autoritetet venezueliane e arrestuan Darmovzalin në shtator të vitit 2024, duke pretenduar se ai planifikonte të merrte pjesë në një komplot për të vrarë Maduron dhe për të rrëzuar qeverinë. Sipas diplomacisë çeke, këto pretendime ishin të pabazuara. Edhe OJQ-ja Foro Penal theksoi se ndalimi i shtetasit çek kishte motive politike.

“Nga 25 dhjetori deri më 1 janar kemi konfirmuar lirimin e 117 të burgosurve politikë dhe, që nga 8 janari, edhe 84 të tjerë, për një total prej 201 personash të liruar,” shtoi Foro Penal, duke bërë të ditur se rreth 800 persona vazhdojnë të mbahen pas hekurave në Venezuelë për shkak të bindjeve të tyre politike.