TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputeti demokrat, Bledjon Nallbati reagoi pas raportimeve në mediat e qeverisë, se ai ka propozuar një amendim për faljen e zyrtarëve të korruptuar.
Kjo tezë u përdor edhe nga Lulzim Basha, pasi u raportua nga mediat e Ramës.
Nallbati thotë se ky është një keqinformim.
"Në projektligjin për Amnistinë, ndryshe nga sa ka dezinformuar Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, nuk kam propozuar asnjë amendament që synon apo parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar, që janë dënuar apo gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Amendamenti që kam dorëzuar synon në thelb garantimin e barazisë midis të dënuarve meshkuj dhe femra, apo kategorisë së veprave penale, duke rritur masën përfituese për të dënuarit meshkuj nga 3 vjet në 4 vjet.
Amendamenti që përflitet për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 5 është një propozim apo ndryshim i bërë nga relatori i PS z. Plarent Ndreca. Asnjë deputet i Grupit Parlamentar të PD nuk ka votuar pro projektligjit në Komisionin e Ligjeve.
Çdo mekanizëm, çdo keqinformim apo keqpërdorim, çdo tentativë e mazhorancës duke dezinformuar edhe median është e papranueshme dhe nxjerr në pah se amnistia e propozuar prej tyre nuk ka qellim të përfshijë shtresat që kanë nevojë por synon të përdoret si mburojë për zyrtarët e korruptuar"-deklaroi ai.
Sot në diskutimet e bëra online në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja foli për propozimet që ka bërë PD për çështjen. 3150 të dënuar do të përfitojnë nga kjoAmnisti në rast se ajo miratohet, po sipas Manjës kjo vlen për të gjitha kallëzimet e depozituara në Prokurori deri në datën 31 Janar 2024. Ai theksoi se është pranuar propozimi i deputetit Enkeled Alibeaj, që lidhet me të dënuarit për veprën penale “pjesëmarrje në tubime apo protesta”.
“Për personat që janë dënuar ose janë në ndjekje penale gjatë tubimeve apo protestave politike të organizuara nga 1 Tetori 2018 deri në 31 Gusht 2020. Ky propozim është pranuar, por jo duke përcaktuar limitin kohor. Kjo do të shtrihet deri në datën 31 Janar 2024, këtë kategori nuk mund ta lidhim me një periudhë kohore. Sigurisht është pranuar dhe për veprat që lidhen me tubimet dhe protestat, këtu kam parasysh veprat penale bazike që lidhen me organizimin e protestave. Pra veprat që janë kundër rendit dhe sigurisë publike, organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme është pranuar i gjithi. Neni tjetër “organizimi i tubimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur kemi pranuar paragrafin e parë e të dytë, se janë vepra që dënohen deri në 3 vjet burg. Këto kanë qenë pjesë propozuese të deputetit Enkeled Alibeaj.”
“Nuk kemi pranuar veprën penale ”goditja për shkak të detyrës”, e kemi kriter ndalues, por për të gjitha kategoritë e subjekteve, jo vetëm për personat që kanë marrë pjesë në tubime apo protesta. Qoftë ata që janë në ndjekje penale, për shkak të rrezikshmërisë shoqërore që kanë këto vepra, por edhe duke u nisur nga parimet që ka kjo amnisti, ne nuk e kemi pranuar. Po ashtu shkatërrimi i pronës me zjarr, as këto nuk i kemi pranuar. Është akt mëshire, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse interferon në sistemin e drejtësisë. Duhet mbrojtur sistemi publik, për këto kemi mbajtur linjën që kishim”, shtoi ministri.
Më tej, një tjetër amendament i pranuar është ai i deputetit Bledion Nallbati që ka të bëjë me zbritjen e dënimit.
“Është pranuar dhe një amendament tjetër që është propozuar nga deputeti Bledion Nallbati, e kemi pranuar për të siguruar dhe barazi në trajtim, kjo ka të bëjë kryesisht me zbritjen me një vit të dënimit për burrat dhe një vit e gjysmë për gratë e vajzat.”