AKTUALITET, 12 Shkurt 2025, 14:37

Turizmi, “motori” i ekonomisë/ Strategjia: Rritje 3.9 përqind këtë vit, ulet papunësia

Turizmi, “motori” i ekonomisë/ Strategjia: Rritje 3.9

Sektori i Turizmit do të vijojë të jetë një shtyse e rëndësishme për ecurinë ekonomike ne Shqipëri. Qeveria ka miratuar kuadrin makro-ekonomik 2026-2028  dhe projeksionet janë që gjatë këtij viti do të kemi një rritje ekonomike me rreth 4% e ndikuar direkt nga turizmi, i cili do të nxisë shtimin e konsumit por edhe nga investimet e huaja. Të dhënat zyrtare  tregojnë se ky vit ka nisur i mbarë dhe vetëm në janar Shqipërinë e vizituan mbi gjysmë milioni shtetas të huaj ose gati 3 herë më shumë se në katër vitet e fundit.

Rritja ekonomike parashikohet në normën 3.9 për qind për vitin 2025 dhe përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2026–2028 parashikohet mesatarisht rreth 4.0 për qind në vit.

Konsumi privat parashikohet të jetë sërish nxitësi kryesor i rritjes së prodhimit të brendshëm bruto,  e lidhur kjo me përmirësimin e  besimit të konsumatorit, por edhe me ecurinë pozitive të tregut të punës. Projeksionet tregojnë se shërbimet të kontribuojnë më shumë në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë. Për herë  të parë niveli i papunësisë parashikohet të regjistrojë një vlerë një shifrore prej 9.8% për të zbritur më pas në 9% në 2028. Kjo është norma më e ulët e papunësisë e shënuar në një dekadë në vendin tonë.

Në të njëjtën kohë pritet që produktiviteti i përgjithshëm i punës të vijojë të ketë  një përmirësim të konsiderueshëm gjatë kësaj periudhe dhe të jetë një faktor i rëndësishëm i gjenerimit të rritjes ekonomike. Sipas kuadrit makroekonomik ne fokus do te vijoj te mbetet konsolidimi fiskal. Ndërsa pritet një reduktim i nivelit të borxhit publik bruto rreth nivelit  52.1 për qind të PBB-së deri në vitin 2028 nga rreth 55.2 për qind që pritet të rezultojë në 2024