TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim për vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro teksa ka sekuestruar kartelat mjekësore dhe kryer veprime të tjera hetimore në klinikën private 'Trita Hospital', ku 54-vjeçari kreu një ndërhyrjeje kirurgjikale për ngushtimin e stomakut. Çështja po hetohet nga prokurori Florian Boriçi, ndërkohë pritet rezultati i autopsisë së Institutit të mjekësisë ligjore shqiptare.
Paralelisht, hetime po zhvillohen dhe në Itali, ndërkohë që familjarët e biznesmenit pretendojnë se 54-vjeçarit nuk iu bënë analizat dhe kontrollet paraprake përpara se të futej në sallën e operacionit. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë, mediat italiane raportuan se autoritetet e këtij vendi janë tronditur nga mënyra se si ishte bërë autopsia në trupin e të ndjerit.
Ekzaminimi pas vdekjes ishte pothuajse i pamundur, pasi disa organe u hoqën gjatë autopsisë në Shqipëri dhe janë ende në laboratorin e mjekësisë ligjore në Tiranë. Ndër organet që mungojnë është stomaku, i konsideruar i rëndësishëm për hetimet. Trupi, gjithashtu, ishte rindërtuar duke përdorur material leshi, një procedurë që sipas ekspertëve italianë konsiderohet e vjetëruar dhe jo në përputhje me standardet e mjekësisë ligjore moderne.
Çfarë ndodhi mes 18 dhjetorit deri në 22 dhjetor?
Ndërhyrja për ngushtim stomaku u krye më 18 dhjetor. Pacienti, i diagnostikuar me diabet tip II dhe me peshë 108 kilogramë, kishte marrë vetëm udhëzimin të mos ushqehej natën para ndërhyrjes. Më 20 dhjetor iu shfaqën ethet dhe temperaturë deri në 38 gradë. Më 21 dhjetor, me temperaturën që kishte arritur 39 gradë dhe me vështirësi të rënda në frymëmarrje, Ferro u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza” në Tiranë dhe është rikthyer sërish në klinikën private. Në mëngjesin e 22 dhjetorit, Massimo Ferro pësoi një arrest brenda klinikës dhe u transportua me ambulancë në repartin e reanimacionit të spitalit publik, ku humbi jetën.
Sipas kallëzimit të familjes, nga klinika 'Trita Hospital' nuk ka pasur një program paraprak dietik, asnjë vlerësim multidisiplinar dhe asnjë përgatitje specifike para operacionit. E vetmja këshillë e dhënë ishte që pacienti të qëndronte esëll që nga mbrëmja para ndërhyrjes. Operacioni kushtoi 4,400 euro, çmim shumë më i ulët se afërsisht 15,000 euro të kërkuara në Itali.
Trita Hospital kërkon të sqarojë opinionin publik mbi ngjarjet e lidhura me rastin e shtetasit italian Massimo Ferro, i cili ndërroi jetë në QSUT ku u shtrua pas një operacioni në Trita Hospital.
Më poshtë deklarata e Trita Hospital.
Në lidhje me raportimet mediatike mbi rastin e shtetasit italian Massimo Ferro, Trita Hospital informon opinionin publik për faktet e verifikuara si më poshtë:
Më datë 18 dhjetor të vitit të kaluar, shtetasi Massimo Ferro iu nënshtrua në Trita Hospital një ndërhyrjeje kirurgjikale bariatrike për zvogëlimin e stomakut. Procedura u krye nga ekip i specializuar dhe në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi.
Pacienti kishte ndjekur më parë këshillim dhe monitorim dietologjik në Itali dhe kishte marrë miratimin e plote për kryerjen e kësaj procedure nga specialisti që ndiqte rastin e tij ne Itali.
Në ditën e katërt pas operacionit, pas shfaqjes së çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua menjëherë për trajtim më të specializuar. Ekipi mjekësor ndërmori pa vonesë të gjitha veprimet e kërkuara nga praktika klinike.
Pacienti u trajtua më pas në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku, pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë më 22 dhjetor.
Pas ngjarjes, sipas protokolleve dhe procedurave, dokumentacioni mjekësor është sekuestruar nga autoritetet përkatëse dhe është në zhvillim një hetim penal, me të cilin Trita Hospital po bashkëpunon plotësisht dhe pa asnjë rezervë.
Në lidhje me pretendimet e publikuara për heqje organesh, sqarojmë se trupi i të ndjerit është marrë në administrim nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Organet përkatëse ndodhen në këtë institucion si pjesë e procesit standard ligjor.
Trita Hospital konsideron të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm çdo spekulim publik që paraprin përfundimet e ekspertizave zyrtare dhe cenon integritetin profesional të personelit shëndetësor.
Spitali mbetet plotësisht i hapur për çdo verifikim institucional dhe ekspertizë të pavarur dhe inkurajon që opinioni publik të mbështetet vetëm mbi rezultatet zyrtare që do të dalin nga hetimi dhe verifikimet.
Nuk ka interes më të madh për Trita Hospital se hetimi i plotë dhe transparenca mbi këtë rast.
Në respekt të kujtimit të Massimo Ferro dhe familjes së tij, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe kërkojmë që kjo çështje të trajtohet plotësisht, me maturi, përgjegjësi dhe empati.