AKTUALITET, 26 Janar 2023, 15:52

Trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali/ SPAK: Grupi kriminal drejtohet nga tre shqiptarë!

Trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali/ SPAK: Grupi kriminal

SPAK ka dhënë detaje nga megaoperacioni i shkatërrimit të një rrjeti të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ky grup kriminal është krijuar dhe është drejtuar nga tre shtetas shqiptar me inicia;le B.L, G.B dhe E.M. Ata dyshohet se kanë koordinuar veprimet midis tyre për drejtimin e grupit kriminal, që tregonte lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë.

SPAK njofton se veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim dhe është zhvilluar në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.

Njoftim për shtyp

Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka zhvilluar hetime në lidhje me operacionin “HIGHWAY”.

Hetimet janë kryer në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë e Bergamos, në Itali, e cila është mbështetur nga Eurojust, Europol, si dhe është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga ana financiare nga Projekti IPA/2019 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në Itali dhe në Shqipëri është bërë e mundur që të zbulohet një grup kriminal që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, që ka patur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.

Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim dhe është zhvilluar në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.

Nga hetimet e përbashkëta janë mbledhur provat e nevojshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ky grup kriminal është krijuar dhe është drejtuar nga tre persona shtetas shqiptar (shtetasit B.L, G.B dhe E.M), të cilët kanë koordinuar veprimet midis tyre për drejtimin e grupit kriminal.

Ndërsa, si pjesëmarrës në këtë grup kriminal që kanë bashkëpunuar me drejtuesit e grupit dhe me njëri tjetrin, janë identifikuar 18 persona të tjerë shtetas shqiptar, të cilët në vënde dhe në periudha të ndryshme, kanë kryer aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.1, datë 23.01.2023 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për 20 persona dhe masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për 1 person, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 283, paragrafi (1), si dhe nenet 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Deri në këtë moment janë ekzekutuar masat e sigurimit për 15 persona dhe vijojnë veprimet për ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë.