TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka përfunduar pas rreth tre orësh protesta e opozitës së bashkuar, e zhvilluar pasditen e sotme para Kryeministrisë dhe më pas para Kuvendit. Tubimi, i cili nisi rreth orës 17:30, fillimisht u zhvillua i qetë, me fjalimet e disa deputetëve të Partisë Demokratike dhe të kryetarit të saj, Sali Berisha.
Situata u tensionua në përfundim të fjalimit të Berishës, kur një grup protestuesish hodhën bomba molotov drejt godinës së Kryeministrisë. Forcat e policisë ndërhynë duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Pas përplasjeve para Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, ku për më shumë se një orë u shënuan sërish tensione dhe përplasje mes militantëve demokratë dhe forcave të rendit. Si para Kryeministrisë ashtu edhe para Kuvendit, zonat u rrethuan dhe u trajtuan si skena krimi, ndërsa ekspertët e kriminalistikës nisën mbledhjen e provave.
Nga radhët e opozitës u raportua se disa qytetarë dhe protestues janë shoqëruar nga policia në mënyrë të padrejtë, ndërkohë që Policia e Shtetit njoftoi se disa efektivë mbetën të lënduar gjatë përplasjeve.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe bllokim të drejtësisë, duke theksuar se, sipas tij, zemërimi i qytetarëve është i drejtë dhe i ligjshëm.

“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama kryeson organizatën më të rrezikshme në Europë, se është kreu i narkoshtetit dhe se ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur veten dhe familjarët e tij, pasi ka vjedhur jo miliona, por miliarda”, u shpreh Berisha.
Në përfundim të protestës, Berisha njoftoi se aksioni opozitar do të vijojë dhe se protesta e radhës do të bëhet e ditur së shpejti.
“Po bëni historinë! Ky është popull vigan. Jemi në fushëbetejë dhe nuk ndalemi deri në rrëzimin e tij”, deklaroi ai.