AKTUALITET, 27 Prill 2026, 11:11

“Telefonat, prova më e shpeshtë”/ Vendimi i Kushtetueses për sekuestrimin e celularëve, Braho: Ka ndryshuar procedura, i drejtohemi GJKKO për të marrë autorizim

“Telefonat, prova më e shpeshtë”/ Vendimi i Kushtetueses

Në raportin e SPAK për vitin 2025, thuhet se celularët përbëjnë 70-80% të provave totale. Kreu i SPAK Klodian Braho u shpreh se për sekuestrimin dhe përdorimin e celularëve të personave nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, prokurorët i drejtohen GJKKO-së, që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ekspertizat, telefonat kanë numri më të madh se janë më të përdorura se pajisjet kompjuterike. Me daljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK ka ndryshuar procedurë e këqyrjes, sekuestrimit dhe marrjes së të dhënave. Prokurorët e drejtohen gjykatës për të marrë autorizim për të marrë të dhëna nga celulari dhe për ti përdorur”, tha Braho.

Në raportimin e tij në KLP, kreu i SPAK, Klodian Braho, foli në lidhje me sekuestrimet e celularëve të personave nën hetim. Nga anëtarët e KLP u vu në dukje se celularët janë prova më e shpeshtë.

“Telefonat celularë janë provat më të shpeshta, sepse janë aparatet më të përdorura. Përdoren më shumë se kompjuterët personalë. Është normale që është në numër më të madh.

Për të marrë telefonat celularë, prokurorët i drejtohen gjykatës, po ashtu edhe për ta përdorur si provë në hetim. Edhe pse ende nuk ka një ndryshim ligjor në procedurë, për të përcaktuar rregullat mbi kontrollin e telefonit, kemi nisur të zbatojmë direkt vendimin e Kushtetueses.

Është ngritur edhe një grup i posaçëm për të rregulluar mënyrën sesi duhet të procedojmë dhe veprojmë nga ana juridike. Jemi në punë e sipër për këtë çështje”, tha Braho.