AKTUALITET, 31 Mars 2024, 11:48

“Të përgatitemi për lëvizje të mëdha politike”, Tritan Shehu: Të mobilizohemi për t’u përballur me këtë regjim

“Të përgatitemi për lëvizje të mëdha

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu nga Gjirokastra u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të përgatiten për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës dhe për një lëvizje të madhe politike.

Ai tha se ‘regjimet nuk pyesin për votën e lirë, sepse nuk e lejojnë votën e lirë’.

Në fjalën e tij Shuhu u shpreh se nuk ka normalitet në jetën parlamentare për aq kohë sa Sali Berisha ndodhet i burgosur politikisht.

“Dikush mund të ketë folur këto ditë për normalizim. Çfarë normalizimi mund të bëhet fjalë kur  trysnia po vjen duke u shtuar.

Jemi në një anormalitet të thellë dhe nuk mund të ketë normalitet në atë parlament për aq kohë sa karrigia e Sali Berishës është bosh.

Rama flet për normalitet dhe marrëveshje. Janë propagandë për të fshehur shkeljen e demokracisë dhe të instalimit të regjimit në Shqipëri. Nuk i them këto për të patur frikë, sepse ju nuk keni frikë.

Duhet të mobilizohemi për tu përballur me regjimet. Regjimet nuk pyesin për votën e lirë, sepse nuk e lejojnë votën e lirë. Ne duhet të përgatitemi për lëvizje të mëdha politike, të ngremë zërin kudo. Të ngremë zërin për burgosjen politike të Sali Berishës”, tha Tritan Shehu.