AKTUALITET, 11 Qershor 2026, 22:58

"Të hidheshin në fyt zarat e Yuri Kimit"/ Bushati: Amerika duhet përqeshur edhe kur ta vë edhe kur ta heq non-gratën...

"Të hidheshin në fyt zarat e Yuri Kimit"/ Bushati: Amerika

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, deklaroi se heqja e non-gratës së Berishës nga SHBA, nuk ka ndonjë vlerë, pasi qëllimi i vendosjes së saj ishte ndër të tjera, shkatërrim i opozitës dhe kjo u arrit. 

Bushati tha se këto veprime të DASH, tregojnë se SHBA duhet përqeshur edhe kur të vendos non-gratën edhe kur ta heq. 

"Për mua është akt i parëndësishëm, sepse vënia e non-gratës kishte dy qëllime, përçarjen e opozitës dhe heqjen e Berishës. Ai që kontribuoi shumë është në burg sot.

Pse është e parëndësishme? Berisha mund të ketë një lloj krenarie që u hoq, por efektin e parë të non-gratës Berisha e rrafshoi, u kthye në krye të opozitës. Efektin e dytë nuk e zhbëri dot, sepse non-grata kishte qëllim shkatërrimin e opozitës, opozita u shkatërrua.

Sot nuk ka asnjë vlerë që rikuperohet. Por e rëndësishmja është që heqja e kësaj non-grate më shumë se efekti i saj ka vlerë për debatin tonë intelektual këtu. Jemi kacafytur për 5 vite, kemi dëgjuar Amerika nuk blihet, nuk lobohet, nuk gabon, nuk i heq non-gratat. Të hidheshin në fyt zarat e Yuri Kim, na kanë marrë frymën. Pra Amerika i ndërron politikat.

Një Amerikë ndryshe për LGBT, pastaj ndryshe prapë për LGBT. Prandaj nuk kemi pse themi aleati strategjik… Përveç kësaj ka edhe një sinjal politik, u bë e dyta deklaratë, është bërë edhe një para një viti.

Para një viti DASH thoshte do të zhbëjmë politikat e Biden që synojnë futjen e armiqësisë mes vendeve tona. E ka thënë që non-grata ishte e lobuar me qëllim sundimin e Ramës. Tani Rama ta gëzojë sundimin pasi nëpërmjet non-gratës u forcua. Amerika duhet përqeshur edhe kur e vuri edhe kur e hoqi", tha Bushati.