AKTUALITET, 31 Mars 2026, 12:58

"Të hetohet Rama"/ Avokati, për akuzat e kontratës CEZ-DIA: Nuk ishte Meta ministër më 2010, por Dritan Prifti. Janë manipuluar data e prova!

"Të hetohet Rama"/ Avokati, për akuzat e kontratës

Avokatët e ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dolën sot (31 mars) në një konferencë të radhës për mediat, ku publikuan fakte të reja nga dosja hetimore dhe fashikujt, teksa theksuan se ato rrëzojnë pretendimet e SPAK për akuzat e ngritura në aferën CEZ-DIA.

Mbrojtësi Kujtim Cakrani shpjegoi detaje të reja nga dosja hetimore, duke pretenduar gjithashtu se janë manipuluar provat nga organi hetimor dhe u ngrit akuzë “me thashetheme”.

Ai shtoi se ministri në kontratën e CEz-DIA nuk ka qenë Ilir Meta kur u firmos, por i ndjeri Dritan Prifti. Këto prova sipas tij, e rrëzojnë plotësisht përfshirjen e Metës në këtë aferë.

Argumenti kryesor i mbrojtjes fokusohet në një datë:

“Më 1 shtator 2010, dita kur u nënshkrua kontrata mes kompanisë çeke ÇEZ dhe kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt për mbledhjen e borxheve, ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës nuk ishte Ilir Meta, por i ndjeri Dritan Prifti”, tha ai.

Ky fakt, i nxjerrë nga vetë dokumentet e dosjes, konsiderohet nga mbrojtja si prova përfundimtare që rrëzon pretendimet e prokurorisë për rolin e Metës në këtë kontratë.

Më tej, avokati Cakrani zbërtheu origjinën e hetimit, i cili nisi pas një kallëzimi penal të bërë nga Romeo Kara në vitin 2017. Sipas mbrojtjes, i gjithë kallëzimi i Karës bazohet në informacione të dëgjuara nga një person i tretë, shtetasi Ervis Mata, dhe jo në fakte të konstatuara drejtpërdrejt.

“Prokuroria e Posaçme merret me thashetheme, me një person (Romeo Kara) i cili nuk ka qenë prezent dhe nuk ka informacion të drejtpërdrejtë,” deklaroi Cakrani.

Dhe më tej shton se “kontradikta thellohet kur merret në analizë dëshmia e vetë Ervis Matës, i cili është burimi i pretenduar i informacionit”.

Sipas avokatit, kur Mata është pyetur nga hetuesit, ai jo vetëm ka mohuar të ketë dijeni për takimet e supozuara mes familjarëve të Metës dhe Kastriot Ismailajt, por ka deklaruar se i ka shkëputur të gjitha kontaktet me Ilir Metën që nga viti 2005. Kjo deklaratë e bën të pamundur, sipas mbrojtjes, që Mata të ketë qenë dëshmitar i ngjarjeve që lidhen me kontratën e vitit 2010.

Përfaqësuesit ligjorë të Metës theksuan se edhe vetë Kastriot Ismailaj, në dëshmitë e dhëna në vitin 2022, ka mohuar kategorikisht çdo lidhje apo përfshirje të politikanit Ilir Meta në këtë çështje. Më tej, mbrojtja e cilësoi çështjen si një “impiant akuzator” të montuar, duke u zotuar se do të vazhdojë të publikojë fakte nga dosja për të “çmontuar” akuzat dhe për të provuar pafajësinë e klientit të tyre.

Për çështjen ka reaguar edhe deputeti Tedi Blushi, që gjithashtu me një postim në rrjetin social Facebook, nënvizon se tani dolën qartë provat se Ilir Meta nuk është i përfshirë në aferën CEZ-DIA.

Ai kërkoi që të hetohet kryeministri Edi Rama.

“E vetmja çështje që duhet të ishte hetuar prej kohësh është padia e KLSH (që vazhdon të “flejë” në Prokurori) për 479 milion euro që Edi Rama i fali CEZ-it”, thotë ai mes të tjerash.

Postimi i plotë i Tedi Blushit:

“Sot, avokatët Z.Kujtim Cakrani dhe Z. Gylsen Zhllima, faktuan në bazë të fashikujve të vet SPAK-ut, se politikani që përfshihet në aferën CEZ-DIA, është Dritan Prifti dhe jo Ilir Meta.

Në 1 shtator 2010 kur u bë marrëveshja CEZ-DIA, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, ishte Dritan Prifti dhe jo Ilir Meta.

Në tetor 2015, kur Dritan Prifti u “kujtua” se kjo marrëveshje ishte bërë pa dijeninë e tij, ai akuzonte Z. Meta, duke ju referuar Elvis Mataj.

Por Elvis Mataj, drejtori i DIA-s, jo vetëm që në prokurori ka mohuar të jetë takuar apo të ketë patur komunikim me Z. Prifti që nga janari 2005, por në datën 16 prill 2014, e kishte denoncuar Dritan Priftin si përfitues të kësaj afere.

Transparenca është e vërteta.

Dhe e vërteta është se kallëzimi i rremë ndaj Ilir Metës u bë si mjet presioni kur ai ishte President i Republikës që të noterizonte ndarjen e Kosovës dhe tradhtitë e tjera të interesave kombëtare nga Edi Rama.

E vetmja çështje që duhet të ishte hetuar prej kohësh është padia e KLSH (që vazhdon të “flejë” në Prokurori) për 479 milion euro që Edi Rama i fali CEZ-it”.