AKTUALITET, 11 Shkurt 2026, 21:17

"Të ftojmë të vetë-propozohesh si kandidat", Shehaj fillon takimet për zgjedhjet bashkiake 2027, thirrje mbështetësve të kandidojnë

"Të ftojmë të vetë-propozohesh si kandidat",

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka nisur takimet përgatitore në kuadër të zgjedhjeve bashkiake të vitit 2027.

Gjatë takimit në degën 7 në Tiranë, Shehaj ka ftuar mbështetësit dhe qytetarët e angazhuar të kandidojnë nën logon e Partisë Mundësia me qëllim kontributin në ndërtimin e një qeverisjeje vendore të ndershme dhe në shërbim të njerëzve.

"Zgjedhjet bashkiake po afrohen. Po evidentojmë kandidatët e Partisë Mundësia në të gjithë këshillat bashkiake. 50 mijë votues kanë votuar për Partinë Mundësia zgjedhjet e fundit. Këtë vit, mbështetësit tanë janë rritur. Nëse je një prej tyre, të ftojmë të vetë-propozohesh si kandidat për këshillat bashkiakë", deklaroi Shehaj.

Sipas tij, zgjedhjet bashkiake janë një mundësi reale për t’i kthyer pushtetin komuniteteve dhe për të nxjerrë në pah njerëz me integritet dhe vizion për zhvillimin lokal.

Turi i takimeve me mbështetësit e "Mundësia" nisi nga dega 7 në kryeqytet për t'u shtrirë më pas në të gjithë Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit.