AKTUALITET, 1 Qershor 2026, 18:03

Taulant Balla: Nuk mund të rri pa vlerësuar qëndrimin e Berishës për investimin në Zvërnec!

Taulant Balla: Nuk mund të rri pa vlerësuar qëndrimin e

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në nisje të fjalës së tij në Kuvend, u shpreh se e vlerëson qëndrimin e Sali Berishës lidhur me projektin e investimit në Zvërnec.

Balla tha se Berisha ka mbajtur një qëndrim pro këtij investimi, që sipas tij është historik.

"Nuk mund të mos e vlerësoj faktin dhe qëndrimin pro investimit, një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë, për të cilin do të flas pak më poshtë”, tha Balla.

“U tha këtu që investimet e huaja kanë rënë. Tani, Investimet e Huaja Direkte, në vitin 2012, që mbahet si viti i fundit i plotë i qeverisjes suaj, zoti Sali, ishin 666 milionë euro. Në vitin 2025, pasi viti 2026 është ende në më pak se gjysmën e tij, shifra e Investimeve të Huaja Direkte shkon në 1.64 miliardë euro.

Tani, me matematikën e Lulit mund të rezultojë që 1.64 miliardë është më pak se 666 milionë. Por me matematikën normale, 666 milionë në 1.64 miliardë hyn të paktën 2.5 herë. Investimet e huaja në Shqipëri janë rritur me 2.5 herë.

Zotëria, urime për zgjedhjen në krye të PD-së, se nuk dihej kush do të fitonte, por pas kësaj gare kaq të fortë, të luftuar deri në fund, fitoi zoti Sali.

Sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto, në vitin 2012 ai ishte diku nën 10 miliardë euro, ndërkohë që në vitin 2025 e kemi kaluar shifrën e 27 miliardë eurove. Pra, e kemi trefishuar ekonominë e Shqipërisë në një kohë kaq të shkurtër", tha më tej Balla.