TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i PD, Sali Berisha ka marrë pjesë në pritjen për ngushëllim për babain e ndjerë të ish-presidentit Ilir Meta. Ky moment shënoi edhe kontaktin e tyre të parë që pas arrestimit të kryetarit të Partisë së Lirisë, në tetor 2024.
Pas daljes nga hoteli ku bëhet pritjet, Berisha foli për gazetarët, ku përveç ngushëllimeve, akuzoi se arrestimi i Metës është politik.
“Kryetarit të partisë së dytë më të madhe opozitare, Ilir Metës, i shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të babait të tij, një njeri i respektuar dhe i devotshëm. Duke i shprehur ngushëllime atij dhe familjes, dënoj me forcën më të madhe arrestimin e tij.
Një farsë e turpshme, një farsë që mbahet gjallë nga një ish-xhelat i Sigurimit të Shtetit dhe të tjerë, me falsitete. E thotë Viktor Hygoi diku, çobani i bagëtive të egra është më i egër se ato. Bastardi i egërsirave, i xhelatëve të komunistëve është më i egër se vetë ata.
Dëgjoni, ju duhet të bëni investigim. Unë ftoj mediat të bëjnë investigim. Dëgjoni se çfarë bëjnë, dorëzojnë dokumente të cilat faktojnë se kanë ngritur akuzën mbi falsitet dhe nuk do i jepen LSI-së për dy vite, nuk duhet t’i shohin se nuk duan t’u dalin akuzat fale, të turpshme që kanë lëshuar ndaj tij.
Edhe njëherë u them, asnjëra prej akuzave ka absolutisht zero substancë. E mban Edi Rama vetëm nga frika dhe tmerri, sepse siç e shihni ju, ai tani mbahet në çdo fije bari, është i aftë për çdo akt, pasi në fakt është një kufomë e pakallur”, u shpreh Berisha.
Meta është lejuar dje dhe sot nga SPAK që të lërë qelinë dhe të përcjellë drejt banesës së fundit të atin, si dhe të presë sot ngushëllime.
Krahas ngushëllimit, kryetari i PD ka shfrytëzuar momentin për të dhënë mesazhin se është i burgosur politik dhe duke akuzuar kryeministrin Rama se po vijon rrugën e të atit.
“Dënoj me forcën më të madhe burgosjen e tij politike nga një njeri që ka në shpirt trashëgiminë e babait të tij xhelat për kundërshtarin politik.
Ilir Meta ka absolutisht gjithçka të montuar dhe politike, një farsë e turpshme, që mbahet gjallë nga një ish-xhelat i sigurimit të shtetit etj, me dokumente false dhe si zbatim i porosisë së Edvin Kristaq Ramës, njeriut, krimet familjare të të cilit e bëjnë atë më kriminel sesa etërit e tij”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët Tv për bisedën e tij me Metën, Berisha përsëriti sërish se burgosja politike ishte fokusi i bisedës së tyre.
“Biseda ime ishte në mjedis të hapur dhe natyrisht gjatë kësaj kohe biseduam për aktin e turpshëm, se të mbash të burgosur politik vetëm nga frika dhe tmerri siç bën Edi Rama, është një akt për të cilin nuk mund të them gjë tjetër veçse vazhdon me përpikmëri dhe besnikëri rrugën e babait të vet”, është shprehur Berisha.
