AKTUALITET, 24 Mars 2026, 11:43

Tabaku: Sistemi aktual fiskal mbitakson shtresën e mesme dhe favorizon pakicën

Tabaku: Sistemi aktual fiskal mbitakson shtresën e mesme dhe favorizon

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale duke akuzuar qeverinë se ka ndërtuar dhe po mbron një sistem të padrejtë ekonomik, i cili sipas saj rëndon mbi shumicën e qytetarëve dhe veçanërisht mbi shtresën e mesme.

Sipas Tabakut, mazhoranca ka zgjedhur në mënyrë të vazhdueshme të mbrojë një model që i shërben vetes dhe një pakice të privilegjuar, duke vendosur përballë interesit të qytetarëve interesin e sistemit që e mban në pushtet. “Sa herë që është dashur të zgjidhet mes qytetarëve dhe sistemit, është zgjedhur sistemi”, shprehet ajo.

Në reagimin e saj, Tabaku thekson se politika fiskale aktuale mbitakson punën dhe prodhimin, duke goditur drejtpërdrejt shtresën e mesme, të cilën e cilëson si shtyllën kurrizore të ekonomisë. Ajo argumenton se ndërkohë që qytetarët që punojnë paguajnë gjithnjë e më shumë taksa, një pakicë përfiton lehtësira fiskale përmes ligjeve të posaçme.

Deputetja e PD-së nënvizon se ky model ka deformuar ekonominë, duke ulur të ardhurat reale të familjeve shqiptare dhe duke rritur barrën fiskale mbi ta. Sipas saj, fondet publike po orientohen drejt projekteve dhe koncesioneve që nuk sjellin vlerë të shtuar në ekonomi, por rrisin kostot për qytetarët.

Tabaku e lidh situatën ekonomike me nivelin e ulët të fuqisë blerëse në vend, duke theksuar se Shqipëria mbetet ndër vendet më të varfra në rajon pikërisht për shkak të këtij modeli ekonomik. Ajo shton se korrupsioni dhe monopolet janë pasojë direkte e këtij sistemi, i cili, sipas saj, bën që shumica dërrmuese e shqiptarëve të paguajnë më shumë taksa dhe të përballen me çmime më të larta dhe më pak të ardhura.

Në përfundim, Tabaku thekson se ndryshimi i këtij modeli kërkon ndryshim politik, duke bërë thirrje për largimin e shumicës aktuale dhe ndërtimin e një qeverisjeje që, sipas saj, vendos në qendër interesin e qytetarëve.