AKTUALITET, 28 Mars 2026, 13:14

Tabaku: Rritja e çmimeve reflekton problemin e një ekonomie që nuk prodhon

Tabaku: Rritja e çmimeve reflekton problemin e një ekonomie që

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot përmes një videomesazhi, se rritja e çmimeve që ka nisur me kohë reflekton problemin real që ka sot ekonomia shqiptare, si një ekonomi që nuk prodhon.

“Me kohë kemi thënë se ekonomia sot është bërë një ekonomi e pakicës, një ekonomi e privilegjeve, një ekonomi e cila fatkeqësisht nuk prodhon më. Dhe të dhënat e fundit pikërisht këtë vërtetojnë”, tha ajo,

Sipas Tabakut, sot ekonomia shqiptare mbahet në këmbë ose nga administrata publike ose nga ndërtimi.

“Praktikisht nuk ka më ekonomi tregu, është ekonomi e komanduar”, shtoi ajo.

Së dyti, Tabaku theksoi se rritja e përgjithshme e çmimeve e nisur me kohë reflekton taksat e larta, sistemin fiskal dhe favoret që i janë dhënë pakicës në dëm të shumicës.

“Për çmimin e karburantit, i cili pavarësisht propagandës dhe retorikës që bën qeveria nuk është duke u ulur, fajin e kanë taksat. Për çmimet e produkteve të tryezës, për çmimet e përgjithshme të rritura me 30% vitet e fundit, fajin e kanë taksat. Është ajo taksë 60% te karburanti që nga pompa e karburantit shkon në tryezën e qytetarëve shqiptarë dhe çfarëdo gjëje që të bëjnë nuk i ul çmimet, i mban më të larta jo vetëm se rajoni por më të larta edhe se gjithë vendet europiane, pavarësisht të ardhurave që ka sot Shqipëria”, tha Tabaku.

Sipas saj, “ky është problemi që ka ekonomia sot”.

“Një ekonomi që nuk prodhon, një ekonomi që është e kapur, një ekonomi që jep favore për pakicën e rëndon me taksa shumicën. Ky mentalitet e mban sot për fyti rritjen ekonomike, varfëron familjen shqiptare dhe pengon Shqipërinë që të zhvillohet”, u shpreh Tabaku.