AKTUALITET, 16 Prill 2026, 13:59

Tabaku: Kryeministri shëtit fshat më fshat, realiteti s’matet me propagandë. Fermeri i braktisur, vodhët fondet e BE, skandali e turpi më i madh!

Tabaku: Kryeministri shëtit fshat më fshat, realiteti s’matet me

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku denoncoi qeverinë nga foltorja e Kuvendit ditën e sotme (16 prill), se jo vetëm nuk i ndihmon fermerët dhe bujqësinë me fonde më të larta nga buxheti dhe subvencione, por vjedh edhe ndihmat që jep Bashkimi Evropian, siç ishte skandali me fondet e IPARD-it.

Ligjvënësja opozitare tha se kryeministri bën propagandë me shëtitjet fshat më fshat në Shqipëri duke folur për mirëqenien, por fermeri dhe bujku shqiptar në realitet vuajnë dhe janë braktisur, pasi marrin vetëm 139 euro në vit subvencion apo ndihmë, kur vendet e rajonit dhe Evropa i ka të paktën 45 fish më të larta.

“Kryeministri shëtit fshat më fshat dhe flet për mirëqenie dhe investime në bujqësi. Por realiteti është ndryshe dhe nuk matet me propagandë. Sot më shumë se kurrë ky realitet është i hidhur se bujqësia për shtatë vite me radhë është në rënie, ka rënë deri në 17% dhe më shumë”, tha Tabaku mes të tjerash.

Ajo solli edhe shembuj nga rajoni:

“Serbia e mbështet fermerin e saj 15 herë më shumë sesa e mbështet Shqipëria. Kjo nuk është diferencë, është hendek. Në rajon jepen deri në 6 mijë euro në vit, në Evropë shumë herë më shumë dhe në Shqipëri fermeri merr 45 herë më pak”.

Deputetja vijoi duke kujtuar çështjen e korrupsionit dhe skandalin e fondeve të IPARD, që vetë BE sipas saj e cilëson si “vjedhjen më të madhe të fondeve jashtë Unionit”.

“Problem tjetër është korrupsioni. Prej vitesh Shqipëria është përfshirë në një skandal, 116 mln euro të fondeve të IPARD që u zhdukën dhe shkuan te një pakicë. Ju tundni vetëm flamurët politikë të propagandës për integrimin në BE. Kur erdhën monitoruesit evropianë nuk gjetën as sera, as ferma, por toka djerrë si Durana Park, letra tenderash dhe abuzimesh. Kjo nuk është abuzim, është vjedhje, model. A ka turp më të madh, a ka gjë më të shëmtuar se të vjedhësh fondet e BE-së. E ka thënë vetë BE-ja, është vjedhja më e madhe e ndodhur ndonjëherë me fondet e BE-së jashtë Unionit. Kjo është e vërteta”, tha mes të tjerash Tabaku.

Në fund ajo akuzoi qeverinë se e mat suksesin vetëm me propagandë.

“Ju e masni suksesin vetëm me propagandë. Por si mund të mbijetojë fermeri shqiptar vetëm me 139 euro në vit ndihmë? Goditja më e madhe që i është dhënë bujqësisë sigurisht vjen nga mungesa e subvencioneve. Sigurisht edhe nga mungesa e fondeve të BE, por edhe nga korrupsioni, deformimi i ekonomisë. Shumica e kapitalit nuk shkon në bujqësi, por te ekonomia e llaçit e tullave, pasuri të paluajtshme, që përbëjnë 60% të aktivitetit. Të rinjve u duhet 60 vite të blejnë një apartament. Kjo nuk është ekonomi, por vjedhje. Ky sistem nuk është devijim, por është rregull dhe më pas shitet si sukses. Fermeri mbetet i padrejtë. Se si mund të mbijetojë një fermer me 139 euro që i jep qeveria në vit, krahasuar me vendet e rajonit, këtë vetëm ju mund ta dini. Kur bie bujqësia bie ekonomia, e kur bie ekonomia bie edhe Shqipëria dhe fatkeqësisht kjo ka ndodhur”, përfundoi Tabaku fjalën e saj.