AKTUALITET, 15 Janar 2026, 13:02

Tabaku: Sulmet e Ramës ndaj gazetarëve janë një arratisje nga llogaridhënia! Sjellja e kryeministrit, jo rastësi

Tabaku: Sulmet e Ramës ndaj gazetarëve janë një arratisje

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka dënuar sulmin verbal të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Klodiana Lala, që kritikoi qeverinë për përmbytjet dhe inceneratorët dhe sipas ligjvënëses, mori një bullizim të hapur nga kreu i mazhorancës.

Këtë e ka evidentuar edhe ligjvënësja me një postim të radhës në rrjetin social Facebook, duke nënvizuar se “sulmet ndaj gazetarëve janë arratisje nga llogaridhënia e qeverisë”.

Ajo shton se sjellja e kreut të mazhorancës nuk është rastësi:

“Kur Kryeministri bullizon gazetarët pse pyesin për korrupsionin qeveritar, problemi nuk janë pyetjet. Problemi është pushteti që ka humbur qetësinë sepse nuk ka përgjigje. Kjo sjellje nuk është rastësi.

Të dhënat ndërkombëtare konfirmojnë se degradimi i lirisë së medias në Shqipëri është sistematik. Sa më shumë ngushtohet laku i drejtësisë rreth qeverisë, aq më agresive bëhet gjuha ndaj medias”.

Tabaku bën thirrje për mbrojtjen e gazetarëve me nene në Kodin Penal, pasi gazetarët janë zëri i publikut dhe t’i mbyllësh veshët shoqërisë do të thotë të vrasësh të vërtetën.

Postimi i plotë i Jorida Tabakut:

“Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë debat. Janë arratisje nga llogaridhënia.

Kur Kryeministri bullizon gazetarët pse pyesin për korrupsionin qeveritar, problemi nuk janë pyetjet. Problemi është pushteti që ka humbur qetësinë sepse nuk ka përgjigje.

Kjo sjellje nuk është rastësi. Të dhënat ndërkombëtare konfirmojnë se degradimi i lirisë së medias në Shqipëri është sistematik. Sa më shumë ngushtohet laku i drejtësisë rreth qeverisë, aq më agresive bëhet gjuha ndaj medias.

Për këtë arsye, çdo ndryshim i propozuar në Kodin Penal për mbrojtjen e gazetarëve dhe fjalës së lirë është vetëm minimumi. Sepse këto kërkojnë një kulturë politike llogaridhënëse që sot nuk e kemi; një kulturë që pranon debatin e jo arrogancën; një kulturë që respekton mendimin ndryshe dhe nuk e sulmon atë!

Demokracia nuk dobësohet nga pyetjet e vështira. Ajo vdes nga heshtja që imponon pushteti.

Gazetarët janë zëri i publikut. T’i sulmosh ata, do të thotë t’i mbyllësh veshët shoqërisë për të mos dëgjuar të vërtetën”.