TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria pritet të hyjë me një kuadër të ri ligjor për bastet sportive dhe sponsorizimet, një zhvillim që synon të riformatojë mënyrën se si financohet dhe organizohet sporti në vend.
Kështu është shprehur gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili theksoi se procesi është në fazë konkrete dhe se aktet nënligjore do të përmbyllen brenda këtij viti. Sipas tij, qëllimi kryesor i reformës është që fondet e shqiptarëve të mos dalin jashtë vendit përmes tregjeve të palicencuara, por të kanalizohen në mënyrë të rregullt dhe të kontrolluar brenda Shqipërisë.
I pranishëm në Vlorë gjatë një eventi kikboksi, Ylli nënvizoi se një pjesë e akteve nënligjore tashmë janë në fuqi, ndërsa pjesa tjetër pritet të miratohet brenda afateve të përcaktuara. Në të njëjtën kohë, ai u ndal edhe te ligji i ri i sportit, i cili sapo është miratuar dhe që, sipas tij, përfaqëson një model modern për organizimin dhe zhvillimin e sportit në vend. Megjithatë, ai theksoi se sfida kryesore mbetet financimi, duke kërkuar miratimin e një ligji të veçantë për sponsorizimet. Për të ilustruar diferencat në financim, ai solli në vëmendje shembullin e Kosovës.
Z. Ylli kur do ta kemi gati ligjin e basteve dhe të sponsorizimeve në sport?
Unë jam besimplotë që me ritmet që po ecën, ligji i sponsorizimit miratohet në fund të vitit, në Parlament do bëhen akte nënligjore dhe viti 2027 do na gjejë me ligj të sponsorizimeve dhe me ligj të kompanive të basteve, që sot funksinojnë në të zezë. Janë para që i merr rruga, i marrin njerëz anonim, i ikin Shqipërisë miliona dollarë në Azi dhe kudo dhe asnjë i punësuar. Është një dëm i madh ekonomik dhe nuk dihet paraja e zezë ku shkon. Ne themi shteti ti kontrollojë, të funksionojnë me rregulla siç funksionojnë në Angli, Francë, Gjermani, në Poloni në Greqi. Në të gjitha vendet e Europës ku ne duam që të shkojmë janë bastet. Ne nuk jemi fanari ndriçues, por duhet që t’i hapim sytë dhe të jemi të vëmendshëm që t’i miratojmë këto ligje se janë të ardhura dytësore që do t’i vijnë rinisë, kulturës dhe teknologjisë. Janë para që sot i merr rruga.
Çfarë do të ndodh konkretisht me bastet?
Janë në përfundim aktet nënligjore dhe bastet në fund të vitit do t’i kemi në fuqi, lekë që do ti vijnë sportit, që sot nuk i vijnë.
Po për ligjin e sporteve çfarë të rejash kemi?
Ligji i sportit sapo u miratua. Është një ligj model. Tani është koha për një ligj sponsorizimi që nuk ka të bëjë me ligjin e sportit, ka të bëjë me ligjin e financave. Po mbarojnë dëgjesat publike. Në fund të vitit ne do të kemi një ligj model që 30% e tatimit të fitimit që një kompani do ja derdh shtetit, mund ti kalojë sportit, klubit, një shoqate, futbollit, klubeve që ne të kemi një frymëmarrje. Nuk duhet që gjithë jetën të rrimë duke kërkuar lëmoshë. Duhet të futet biznesi në lojë. Mos shkoni larg, shkoni deri në Kosovë dhe e shikoni që Komiteti Olimpik i Kosovës e ka buxhetin 2 milion dollarë, Komiteti Olimpik Shqiptar e ka 150 milionë lekë të vjetra. Federatat atje marrin dhjetëfish e federatave tona. Vetëm Federatat e Kikboksit merr 150 mijë dollarë në Kosovë, ndërsa Federata jonë merr 0 lekë. Prandaj këta janë heronj që e bëjnë sportin nga pasoni.
Ndërkohë, Vlora e organizoi më mirë se Shkodra “Qytetin Europian të Sportit”…
Atë që ka bërë Vlora e ka bërë Tirana në fillim që ka bërë aktivitete pa fund, por Bashkia e Tiranës ka dhënë shumë buxhete për portin. Vlora ka bërë rreth 200 aktivitete ku të gjitha federatat kanë bërë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Tani mbaroi Shkodra dhe është radha e Korçës. Të gjithë fëmijët në këto aktivitete vijnë me paratë e tyre prandaj unë jam pak pesimist në këtë pjesë që bashkitë duhet që të hyjnë në lojë, ministritë përgjegjëse që fëmijët të merren me aktivitet fizik.
Flasim në këto kushte për masivizim të sporteve?
Ne masivizimin e kemi në ekipet në sportive në shkolla. Në 4 vite kemi 40 mijë fëmijë që merren me aktivitet. Në mbledhjen e pak ditëve më parë të asamblesë kemi miratuar edhe 7 federata të tjera që po i fusim në shkolla, që të kemi mundësinë që sporti nuk bëhet as në Komitetin Olimpik as në Federatë por në shkollë dhe bashki. Ndaj, të gjitha bashkitë duhet të zgjohen dhe kryetarët e bashkive gjithashtu, që fëmijët tanë të lënë rrugët. Bashkitë duhet të paguajnë trajnerët sepse pagesat e tyre janë minimaliste ose nuk paguhen fare.