AKTUALITET, 18 Dhjetor 2025, 22:01

Preç Zogaj: SPAK-u do të kërkonte heqjen e imunitetit të Ballukut edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të linte në fuqi pezullimin

Preç Zogaj: SPAK-u do të kërkonte heqjen e imunitetit të

Analisti Preç Zogaj e mbrojti vendimin hap pas hapi të SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku për të cilën në fillim kërkoi pezullimin e saj nga detyra dhe më pas heqjen e imunitetit të saj nga Kuvendi, sepse është deputete. Sipas Zogajt, edhe nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të merrte vendimin për të pezulluar pezullimin e Ballukut nga SPAK, ky i fundit do të kërkonte heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

“Përgjigjen e saktë të pyetjes që ke shtruar do ta marrim nesër edhe në seancën pastaj të hapur të parlamentit. Jemi në një periudhë kur historia po përkulet nga drejtësia dhe kjo ka krijuar një situatë që nuk e kemi njohur, por fakti është se kush prej institucioneve është në punën e vet.

SPAK-u është në punën e vet, sepse po heton. GJKKO-ja është në punën e vet, merr produktin e SPAK-ut. Gjykata Kushtetuese është një institucion specifik, e cila domethënë vigjëlon mbi të drejtën në përgjithësi, mbi drejtën e qytetarëve ose zyrtarëve.

Gjykata Kushtetuese që hodhi poshtë pezullimin e Belinda Ballukut për shkuar në zyrë, është një gjë tjetër, që nuk ka lidhje me punën që bën SPAK-u.

Ka rrëzuar një vendim të SPAK-ut dhe s'ka asnjë problem, sepse SPAK-u vazhdon punën. Pra në qoftë se SPAK-u, në kuptimin Gjykatës Kushtetuese, e ka tepruar te pezullimi, sepse ajo është deputete, është një vendim që nuk mund të pranohet, pavarësisht se si mund ta interpretosh. Kjo nuk do të thotë se SPAK-u ndalon. Vazhdon hetimin, vazhdon mbledhjen e provave dhe SPAK-u, për mendimin tim, do ta bënte këtë që ka bërë edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të linte në fuqi pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres nga detyra, sepse SPAK-u do përballej se s'bën me statusin e saj si deputete.

Pra, këtu gjithë historia ka të bëjë me statusin e dyfishtë të personit nën hetim të zëvendëskryeministres. Po të mos kishte qenë deputete, as që bëhej fjalë që Gjykata Kushtetuese do ta pezullonte”- tha Zogaj.